Drejtoresha e SHFMU “Nazmi Hoxha” në Gjilan, Dashurije Leka-Shaqiri në gjysmën e mandatit të parë të saj, hapësirën prej 1/2 Ha në pronësi të shkollës, e cila për më shumë se 12 vite ishte shndërruar në gërmadhë mbeturinash arriti ta shndërrojë në hapësirë të shfrytëzueshme për parking, për terren sportiv dhe terren për lojra për parafilloristët.
Këtë projekt e realizoi me përkrahjen Këshillit të Prindërve, KFOR-it gjegjësisht Ekipës së Monitorimit të Ndërlidhjes së Komandës Rajonale Lindje që vepron në Komunën e Gjilanit, përkthyesit z. Muhamet Mustafa si dhe me përkrahjen e Qeverisjes Komunale.
KFOR-i punoi për afro një muaj në heqjen e dheut, nivelizimin dhe shtrirjen e trasimin e zhavorit, të cilin e siguroi Komuna.
Në shenjë falenderimi stafi i shkollës në krye me menaxhmentin dhe së bashku me Këshillin e Prindërve organizuan ceremoni festive me rastin e përurimit të projektit.
Drejtoresha në fjalën hyrëse falenderoi përzemërsisht të gjithë ata që i kanë ndihmuar që ky projekt të jetësohet.
Po ashtu tregoi për rëndësinëe tij duke potencuar që ky projekt përveç që ofron kushte në mbarëvajtjen e procesit mësimor për aktivitete kurrikulare e jashtëkurrikulare siguron mirëqenien e nxënësve, jeta e të cilëve deri dje ka qenë e rrezikuar nga trafiku i dendur. Së fundmi theksoi se ky projekt do t’i shërbej të gjithë akterëve të shkollës përfshirë edhe komunitetin.
Ajo mes tjerash theksoi se fjalët janë të pakta të shprehim këtë falenderim, por këtë më së miri e dëshmon gëzimi e lumturia në fytyrat e fëmijëve.
Nuk munguan as Mirënjohjet e dhuratat, ku nga shkolla u dhanë Mirënjohje falenderimi e dhurata që prezantojnë kulturën e historinë e popullit shqiptar.
Edhe KFOR- i turk e shpërbleu me Mirënjohje drejtoreshën për përkushtim maksimal dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm për realizimin e këtij projekti, po ashtu edhe shkollën me topa e disa mjete pune.
Pjesë e ceremonisë ishte ishte edhe muzika e kokteji i shoqëruar me ushqime tradicionale për të cilin u përkujdesën kolektivi i shkollës dhe KP. Për ta kurorzuar këtë sukses u organizua një lojë futbolli në mes të ushtarëve turq dhe nxënësve të shkollës, e cila përfundoi me rezultat 1:1