Kryeministri, Albin Kurti ka thënë se Kosova është një ekonomi demokratike e qëndrueshme.
Kurti në takimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime tha se Kosova mund të ndërtojë gjëra të mëdha dhe se duam që qytetarët tanë të jenë të përgatitur mirë dhe të konkurueshme.
“Një dialog i fuqishëm publiko-privat forcon besimin mes sektorit privat dhe publik. Besimi është armatura në themelin tonë ekonomik. Me të mund të ndërtojmë gjëra të mëdha, pa të edhe planet më të mira dështojnë. Imagjinoni mundësitë kur bashkojmë pikat tona të forta dhe i ndajmë në vizion të përbashkët. Ne duam që qytetarët tanë të jenë të përgatitur mirë dhe të konkurrueshëm”, tha kryeministri Kurti.
Ai u ka bërë thirrje bizneseve më konkurruese e shoqatave të bizneseve që të vazhdojnë të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë.
Tutje, ai tha se “kur punojmë së bashku ne krijojmë një ekip të fuqishëm”.
“Së bashku mund të zhvillojmë plane që rrisin investimet e huaja direkte. Ne kemi identifikuar mbi 6 miliardë euro nevoja për investime në infrastrukturë të re apo edhe për të plotësuar atë aktuale. Ndërkohë ne jemi duke u përgatitur në një ankand për energji të erës. Me kalimin e kohës ne do të bashkërendisim dialogun në mënyrë që qeveria dhe sektori privat të kenë qartësi se si të përmirësojnë të bërit biznes. Kur punojmë së bashku ne krijojmë një ekip të fuqishëm”, ka deklaruar ai.