Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për ftesën për darkë pune që i ka dërguar opozitës, nga një pjesë e së cilës është refuzuar.
Në takim Kurtit do t’i shkojë vetëm kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ndërkohë që ftesën e kryeministrit e kanë refuzuar kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Hradinaj.
Kurti tha sot se është i interesuar të takohet me të gjithë, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Ai është shprehur se qenë i hapur gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes.
“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët, muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti për TV Besa.
Kurti ka ftuar krerët e opozitës në një darkë pune për të hënën për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.
Teksa nga LDK dhe AAK kanë thënë se gjatë ditës temat e diskutimit bien mbi përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare, nga PDK ia kanë “ndërruar” Kurtit temën e diskutimit, duke thënë se do të shkojnë për të diskutuar për zgjedhjet e reja parlamentare.
Hera e fundit kur Kurti kishte ftuar në takim opozitën ishte në nëntor të vitit 2022, ku ishte thirrur për të diskutuar rreth situatës në Veri të Kosovës.