Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se LDK është e gatshme për zgjedhje, pasi para pak minutash kryeministri Albin Kurti kërkoi bashkëpunimin e opozitës për mbajtjen e tyre.
Por Haziri vlerësoi se “kryeministri nuk është gati”.
“Nga sonte nga nesër fillon me u numëru mbrapsht koha për zgjedhje, sa i përket LDK-së gati në çdo kohë, por nuk po besoj që kryeministri është gati. Ka fillu me u akomodu dhe po i intereson më shumë një mandat kalendarik sesa një mandat me agjendë të realizuar”, tha Haziri në T7.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar për media pas takimit që zhvilloi me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, në të cilin prezent ishin edhe Mimoza Kusari nga LVV dhe Abelard Tahiri nga PDK.
Kurti tha se në takim u diskutua për zgjedhjet e reja dhe sipas tij stinët më të përshtatshme për mbajtjen e tyre janë pranvera e vjeshta, por për caktimin e tyre tha se pret bashkëpunim me opozitën.
“Diskutuam edhe për situatën në përgjithësi dhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare dhe sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt kur dihet që unë tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit tim qeverisës….Ata e kanë përcaktuar kandidatin e tyre për kryeministrin në zgjedhjet e ardhshme, zgjedhjet e radhës janë çështje të muajve dhe jam i interesuar ta diskutojë me PDK-në, LDK-në AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës. E dim që në përgjithësi është pranvera ose vjeshta”, tha Kurti.