Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mbrëmë është takuar me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, në të cilin prezent ishin edhe Mimoza Kusari nga LVV dhe Abelard Tahiri nga PDK
Pas takimit, ai është deklaruar për media.
Kurti tha se në takim u diskutua për zgjedhjet e reja dhe sipas tij stinët më të përshtatshme për mbajtjen e tyre janë pranvera e vjeshta, por për caktimin e tyre tha se pret bashkëpunim me opozitën.
“Diskutuam edhe për situatën në përgjithësi dhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare dhe sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt kur dihet që unë tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit tim qeverisës….Ata e kanë përcaktuar kandidatin e tyre për kryeministrin në zgjedhjet e ardhshme, zgjedhjet e radhës janë çështje të muajve dhe jam i interesuar ta diskutojë me PDK-në, LDK-në AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës. E dimë që në përgjithësi është pranvera ose vjeshta”, tha Kurti para mediave.
Tutje ai tha se i duhet bashkëpunim me opozitën sepse “konsiderojmë që është çështje e interesit të përgjithshëm”.
“Diskutuam çështje të aktualitetit politik por me theks të veçantë tek agjenda legjislative. Ne i kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar, dihet që nuk mjafton shumica e thjeshtë”, tha tutje Kurti.
Gjatë adresimit para gazetarëve, kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, tha se është e rëndësishme kthimi i “ndjenjës së depolarizimit”.
Ai tha se në darkë me Kurtin ka shkuar të diskutojë për tema që iu interesojnë qytetarëve e jo ambasadave.
Krasniqi tha se ai dhe Kurti kanë lexime të ndryshme të situatës aktuale në Kosovë, derisa shtoi se është i gatshëm që të gjejnë një datë të re për zgjedhje të parakohshme.
“Unë i jam përgjigjur ftesës së kryeministrit Kurti për ta takuar sonte në një darkë pune sepse e konsideroj që është shumë e rëndësishme që t’ia shprehë qëndrimet e mia dhe të PDK’së drejtpërdrejtë dhe qartë se sa ku do të takohemi dhe në çfarë formati që është zgjedhja e tij por ajo që mund të them që s’është asgjë e re është evidente që unë dhe kryeministri Kurti kemi lexime të ndryshme të situatës dhe besoj që ndonjëherë edhe preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë preokupime të kryeministrit të Kosovës. Unë besoj që nga takimet që kemi në çdo cep të Kosovës se ne nuk jemi në një gjendje të mirë, Kosova është në agoni, kemi një ekonomi te stagnuar, kemi rritje enorme të çmimeve me paga dhe pensione të vogla që nuk i mjaftojnë familjeve kosovare me lidhë muajin me muaj. Kemi shëndetësi që në të vërtetë është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë dhe arsim të degraduar, politikë të jashtme thuajse inekzistente, për më shumë një parlament jofunksional, të cilin e dini nga java në javë, nga muaji në muaj, barten pikat pa pasë mundësi me i realizu dhe me i kalu ato, edhe ligjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë e lëre më marrëveshjet ndërkombëtare. Tani kemi edhe një situatë të vështirë e të rënduar sa i përket anëtarësimit në KiE, që nuk ka asnjë siguri që kjo do të ndodhë, përkundrazi duket se do të ketë një dështim, të cilin jo që s’e dëshirojmë por secili prej nesh jemi munduar që të ketë sukses, PDK në veçanti me të gjitha kontaktet dhe mundësitë që i ka pasë. Andaj ia shpreha edhe Kurtit që konsideroj që duhet ta përshpejtojmë punën për ti dhënë zgjidhje këtyre temave. PDK tashmë e ka nominuar kandidatin për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, që besojmë që është kandidati i duhur për t’i dhënë zgjidhje dhe përgjigje këtyre problemeve. Por për të arritur deri këtu një gjë është e domosdoshme, e ato janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare sepse situatat e jashtëzakonshme kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryeministrit Kurti ia shpreha këtë qëndrim pa ekuivokë ashtu siç kemi shprehur publikisht tash e sa kohë. Jemi të gatshëm të gjejmë një darkordim për një datë të re të zgjedhjeve për të shpërndarë kuvendin përmes një mocioni të përbashkët. Unë kam punuar për këtë çështje, pa dashur të marrë flamurin e protagonistit.”
Ai tha se zgjedhjet nuk janë dëshirë e jona, janë nevojë e vendit, “domosdoshmëri”.
Ndërsa edhe ZKM ka lëshuar një komunikatë për darkën e kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK’së, Memli Krasniqi.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi sonte një darkë pune me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasnqi dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.”
ZKM thotë se temë qendrore e diskutimit ishte mbarëvajtja e punës së Kuvendit dhe përmbushja e agjendës legjislative në Kuvend për sesionin pranveror, por kanë përmendur që nevojitat votat e 2/3 të deputetëve për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Kjo darkë u zhvillua me ftesë të kryeministrit Kurti. Temë qendrore e diskutimit ishte mbarëvajtja e punës së Kuvendit dhe përmbushja e agjendës legjislative në Kuvend për sesionin pranveror, përkatësisht votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Janë 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar, e për çka nevojiten 2/3-tat e deputetëve në Kuvend.”
Kurti ka thënë se 224 ligje janë votuar në dy lexime deri tani dhe se kjo legjislaturë ka shënuar rekord të ri të të ligjeve të votuara që nga pavarësia.
“Kryeministri theksoi se me 224 ligje të votuara në dy lexime deri më tani, legjislatura e dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2021 ka shënuar rekord të ri të ligjeve të votuara që prej pavarësisë së vendit. Ky numër mund të rritet edhe më tej, por që për çështje të caktuara, sikurse marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligje të caktuara nevojitet edhe mbështetja dhe kontributi i partive tjerat parlamentare.”
Në takim ZKM thotë se është diskutuar edhe për aktualitetin politik, përfshirë zgjedhjet e reja.
“Krahas kësaj, u diskutua edhe për aktualitetin politik, ecjen e Republikës së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, dhe për mundësitë për zgjedhjet e reja në të ardhmen e afërt, teksa Qeveria ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të saj.”
Kurti ka falënderuar Krasniqin dhe Tahirin që iu përgjigjën pozitivisht ftesës për darkë dhe shtoi se është interesuar të takojë edhe përfaqësues të partive tjera politike.
“Kryeministri Kurti falënderoi udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarin Memli Krasniqi dhe kryetarin e Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, që ju përgjigjen pozitivisht ftesës për një darkë pune sonte. Ai është i gatshëm dhe i interesuar që të takojë edhe përfaqësuesit e partive tjera parlamentare për të zhvilluar diskutime të ngjashme me ato të sontshme.”