Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike në të cilën, me kërkesë të komunës së Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave deri me datën 24 maj 2024.
Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët.
Ndërkaq, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora shtyhet deri më datën 31 gusht 2024.
Për më shumë detaje, Agjencia e Statistikave të Kosovës do të dalë me një komunikatë dhe do të bëjë publik planin e veprimit për periudhën e regjistrimit shtesë nga data 18-24 Maj, 2024.