Në lidhje me të rejat e fundit te kjo skuadër, afatin kalimtar dhe planin e Dritës, për redaksinë tonë foli drejtori sportiv i skuadrës Fisnik Kërçeli, i cili tregoi arsyen pse Drita nuk e ka ndërmend të ngutet sa i përket afatit kalimtar. Punëtori i madh i kësaj skuadre tregoi se gjilanasit aktualisht janë duke punuar në punët e brendshme të ekipit, vazhdimin e kontrataave me futbollistët aktual. Sipas Kërçelit, tashmë ky proces po shkon drejt finalizimit ku pothuajse të gjithë futbollistët e gjeneratës së artë do të vazhdojnë të jenë pjesë e ekipit, përjashto 1 apo 2 prej tyre. Madje kampioni i Kosovës, ka kontrata afatgjate me këta futbollistë nga 2 deri 4 vjet që tregon se Drita, do të jetë skuadër e jashtëzakonshme edhe në edicionet e ardhshme.
“Duke ditur ecurinë që pati kjo skuadër edicionin që lam pas, ku nga 33 xhiro patëm vetëm 2 disfata me 29 xhiro pa humbje atëherë është e natyrshme që mos të futemi në merkato pasi kemi skuadër solide. Aktualisht po punojmë që të vazhdojmë kontratat me futbollistët aktual dhe kjo fazë po shkon siç është më së miri. Pothuajse i gjithë ekipi tani ka renovuar kontratat, ka shumë futbollsitë që kanë kontratë nga 2-4 vjet. Kanë mbetur edhe 1 apo 2 futbollistë të finalizojmë marrëveshjet dhe të mbyllet plotësisht suksesshëm ky cikël”, deklaroi Kërçeli.
Afati kalimtar?: “Sa i përket afatit kalimtar po qarkullojnë shumë zëra që Drita, është ose ka qenë në kontakte me disa futbollistë. Unë mund tju them që shumica prej tyre janë vetëm thashetheme dhe nuk ka asgjë të vërtetë. Deri tani kemi biseduar me dy futbollistë, por mbetet ë shihet. Nuk jemi të interesuar të futemi në merkato të bujshme. Presim dy apo tre afrime maksimumi. Nëse nga Drita largohen 2 futbollistë, do ti sjellim 3 të tjerë. Nuk do të ketë asnjë pozitë të dobët te kjo skuadër, Drita do të jetë superfuqi edhe vitin e ardhshëm”, tha në fund Kërqeli./gazetasheshi/