Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksionin e së hënës ka mbyllur 6 njësi të Bankës Postare Kursimore në veri të vendit.
“Policia e Kosovës, pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si Njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në autorizim të prokurorit kompetent, është duke zhvilluar një operacion policor në gjashtë lokacione të katër komunave në veri të Kosovës, e që janë i ashtuquajturi Trezori i Bankës Postare Kursimore (Banka Postanske Stedionice) dhe pesë filialeve të tjera të saj, që kanë vepruar ilegalisht në këtë zonë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas njoftimit ky operacion policor është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë dhe se dëri më tani ka kaluar pa ndonjë problem apo incident.
“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës Bankë Postare Kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, thuhet në njoftim.