Enver Hajrullahu, këshilltar i Kuvendit Komunal në Gjilan nga radhët Nisma Socialdemokrate, dega në Gjilan, ka ngritur disa çështje problemore dhe jetike për banorët e Zhegrës dhe Grykës së Karadakut, në seancën e sotme që po mbahet nga kuvendarët e Gjilanit.
Në fakt, Hajrullahu që është përfaqësues i vullnetit politikë të qytetarëve të kësaj ane, ka parashtruar disa pyetje dhe kërkesa.
Fillimisht ka shtruar pyetjen për drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Naser Korça, lidhur me çështjen se kur do të fillojë përfundimi i segmentit të tretë të kanalizimit dhe pjesës së trotuarit në Zhegër.
Ndërkaq, po nga i njëjti ka kërkuar që në mënyrë imediate të ndërtohet trotuari në fshatin Haxhaj dhe Demraj, që të lidhet me shkollën fillore, e poashtu edhe ndërtimi i trotuarit në fshatin Shurdhan dhe Pidiq, sepse shumë shpejtë pritet të hapet pika doganore në mes Kosovës dhe Maqedonisë, në fshatin Stançiq ku edhe do të ketë fluks të madh të automjeteve.
Ai ka tërhequr vëmendjen se nëse nuk do të ndërtohet trotuari do të krijohet një situatë nga e cila do të rrezikohet jeta e këmbësorëve, përkatësisht nxënësve gjatë gravitimit të tyre për në shkolla dhe ansjelltas.
Hajrullahu ka kërkuar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica që të bëjë kërkesë MASHT për ndërtimin e objektit shkollës së mesme në Zhegër.
Ai tha se ditë më parë të ketë pasur takim me ministrin e MASHT-it, Shyqeri Bytyqi, ku ky i fundit thuhet se i ka thënë se nuk ka pasur ende kërkesë zyrtare nga ana e Drejtorisë së Arsimit të Gjilanit, lidhur me ndërtimin e kësaj shkolle./Gjilani.INFO/