Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Në një postim në rrjetin social “X”, Kurti ka publikuar pamjet nga takimi teksa ka thënë se të hënën më 3 qershor do të mbahet forumi i bizneseve turke dhe kosovare. Ky forum, sipas tij, do të jetë mundësi për të thelluar lidhjet dhe investimet turke në Kosovë, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Kjo është hera e dytë që Kurti takohet me presidentin turk, pas takimit të vitit 2023 në Stamboll.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se me presidentin turk kanë folur për raportet mes dy shteteve dhe për mundësitë e reja sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e mbrojtjes.
“Diskutuam marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe të mbrojtjes. Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova dhe Turqia, duke ofruar një shans për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve.”, ka shkruar Kurti.