Çështje e ngritur në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit nga Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, anëtare e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje/
Dua të iniciojë sot në Kuvend, pranë jush, një temë mjaft të ndjeshme në lidhje me një kategori që ka shumë nevojë për ndihmën tonë dhe për vëmendjen institucionale.
Arbëreshë Kryeziu – Hyseni
Në Qendrën për Punë Sociale në Gjilan, janë të regjistruara 126 nëna vetushqyese, të cilat marrin një ndihmesë të vogël nga komuna, për t’i përballuar vështirësitë e mëdha që u dalin përpara çdo ditë të jetës së tyre.
Janë 126 nëna, 126 femra, që çdo ditë ballafaqohen me sfida prej më të ndryshmeve, pa fuqinë dhe mbështetjen për t’ia dalë dhe për të ecur para.
Janë 126 nëna, që i rrisin, edukojnë dhe shkollojnë të vetme fëmijët e tyre, dhe që pavarësisht ndihmës që marrin nga Qendra për Punë Sociale, e kanë shumë të vështirë t’ia dalin.
Këto nëna, pos që kanë pasur fatin e keq që të mbesin të vetme, kanë pasur edhe fatin e keq të mbesin të privuara nga e drejta për tu shkolluar, nga e drejta për tu socializuar, nga e drejta për të punuar dhe nga e drejta për të pasur një jetë normale.
Ato janë shndërruar në femra që rrinë të mbyllura pothuajse shumicën e kohës brenda mureve të shtëpisë, duke u përkujdesur për fëmijët, dhe duke çuar kohën tek sillen vërdallë nëpër shtëpitë e tyre.
A duan të shkollohen ato? Jam e sigurt që po! A duan të dalin të relaksohen dhe të pinë një kafe diku? Jam e sigurt që po! A duan të punojnë ato? Jam e bindur që po! Këto gra duan fuqizim, duan inkurajim, duan përkrahje dhe duan mbrojtje.
E, unë mendojë që këtë mund ta bëjmë duke i mundësuar mbajtjen e trajnimeve profesionale në fusha të caktuara, trajnime këto që do ti hapnin rrugën që në të ardhmen të kenë mundësi punësimi.
Unë, si qytetare e Gjilanit, si femër, si nënë dhe si asambleiste, mendojë që do të mund të jepja kontributin tim në këtë drejtim, pa rezervë. Por, jam e bindur që këtë do të mund ta bënim secili nga ne, pa dallim.
Prandaj, i bëjë thirrje kryetarit të komunës Lutfi Haziri, Drejtorit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale Selami Xhemajli, drejtoreshës për Zhvillim Ekonomik Valbona Tahiri, drejtorit të drejtorisë për Punë Sociale Mursel Zymberi (tëe cilin e falënderojë për ndihmën dhe bashkëpunimin deri në këtë pikë), kryesueses se Kuvendit Shpresa Kurteshi, zyrtares komunale për barazi gjinore Linda Salihu, Grupit të Grave të Komunës së Gjilanit, juve kolegë asambleistë, organizatave jo-qeveritare dhe atyre ndërkombëtare, që t’i bashkojmë forcat dhe të veprojmë në këtë drejtim.
Kërkojë që ta hedhim sot në votim nëse është e nevojshme, që kjo çështje të futet për diskutim në seancën e ardhshme, kur edhe mund të vijmë me ide dhe plane konkrete që mund të ndërmarrim në këtë aspekt. Dhe nëse ju keni vullnetin ta përkrahni këtë, atëherë bashkërisht, të formojmë një komision, i cili do të merrte përgjegjësinë për të punuar me shumë seriozitet në këtë drejtim.
Prandaj, edhe një herë, kërkojë përkrahjen tuaj, jo për mua si inicuese, por për këto 126 nëna vetushqyese, të cilat kanë të drejtë dhe duan ta shijojnë edhe anën e mirë të jetës dhe jo të mbesin gjithmonë vetëm në anën e errët të saj.