Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje anëtarëve të diaporës së Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e votës në Parlamentin Evropian, në prag të zgjedhjeve.
Kurti ka thënë se çdo votë llogaritet në mbështetjen e politikanëve dhe partive, të tilla si socialdemokratët, që sipas tij mbrojnë demokracinë dhe Evropën ndaj së djathtës ekstreme.
“Me afrimin e zgjedhjeve për Parlamentin 🇪🇺, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të diasporës sonë që të ushtrojnë të drejtën e votës. Çdo votë e vetme llogaritet në mbështetjen e politikanëve dhe partive – të tilla si socialdemokratët – që me të vërtetë mbrojnë demokracinë dhe Evropën kundër kërcënimit serioz të së djathtës ekstreme”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘X’.
Prej ditës së sotme deri më 9 qershor, 27 vende të Europës kanë nisur votimet në zgjedhjet që do të kenë një ndikim të gjerë në të gjithë Bashkimin Evropian.
Votimi fillon të enjten më 6 qershor në Holandë, i ndjekur nga Irlanda dhe Malta të nesërmen dhe Letonia dhe Sllovakia të shtunën. Shumë vende anëtare të BE votojnë të dielën më 9 qershor.
Shumica e votimeve zhvillohen në një ditë, megjithëse çekët kanë të premten dhe të shtunën për të hedhur votat e tyre, dhe italianët votojnë të shtunën dhe të dielën. Belgët nuk votojnë vetëm në zgjedhjet evropiane të dielën, por edhe në zgjedhjet kombëtare dhe rajonale.
Në shumicën e vendeve të BE-së duhet të jesh 18 vjeç për të votuar, por nëse je 16, mund të votosh në Gjermani, Austri, Belgjikë dhe Maltë , ndërsa në Greqi mosha minimale është 17 vjeç. Në një pjesë të vogël vendesh, përfshirë Luksemburgun dhe Bullgarinë , votimi është e detyrueshme.
Rezultatet vendosen nga përfaqësimi proporcional, kështu që çdo votë ka rëndësi, megjithëse disa vende kanë një prag minimal elektoral deri në 5%. Pjesëmarrja mesatare në vitin 2019 ishte 50.7%.
Deri në fund të 9 qershorit, do të jetë e qartë se cilat parti kanë fituar 720 vendet e Parlamentit, 15 më shumë se në vitin 2019. Mbretëria e Bashkuar mori pjesë në zgjedhjet e fundit evropiane përpara se të largohej nga BE dhe disa nga vendet e saj janë rishpërndarë ose mbahet në rezervë nëse BE-ja zgjerohet.
Numri i eurodeputetëve që ka çdo vend është në përpjesëtim me popullsinë e tij. Gjermania, vendi më i populluar i BE-së, ka 96 ndërsa Franca ka 81 dhe Italia 76. Greqia, Suedia, Portugalia dhe Republika Çeke kanë të gjitha 21 ndërsa Malta, Luksemburgu dhe Qiproja kanë numrin minimal prej gjashtë secila.