Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryetaren e ardhshme të Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Kurti e ka uruar Sinanin për fitoren bindëse, si dhe e ka përgëzuar për suksesin e arritur.
“Krahas punës që po vazhdon në njësinë zgjedhore në Leran të Preshevës, meqë aty do të ketë rivotim të enjten e javës që po vjen, Arditën tani e pret një punë tjetër e rëndësishme për ndërtimin e një koalicioni të fortë për një qeverisje të qëndrueshme e në shërbim të qytetarëve. Për këtë të fundit më njoftoi se tashmë ka filluar angazhimin e saj të plotë e të sinqertë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje, i pari i ekzekutivit ka thënë se vëmendja dhe mbështetja për Preshevën do të rritet falë bashkëpunimit që do ta kenë me liderët e kësaj komune.