Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte bërë reagimin e saj më të ashpër përballë Qeverisë së Kosovës që nga marrja e mandatit, pasi kryekuvendari Glauk Konjufca ishte munduar ta arsyetonte mos konsultimin e saj për ofertën për Këshill të Evropës me pamundësi komunikimi për shkak se presidentja Osmani ishte në SHBA.
Osmani kishte thënë se oferta e bërë nga Gërvalla, duke e nxjerrë Asociacionin nga pakoja, e kishte çuar dëm gjithë mundin e bërë përmes letrës së krerëve të shtetit dhe kishte thënë se arsyetimi për mos koordinim ishte qesharak.
Kësaj teme e para e shtetit i është rikthyer edhe dje shkurtazi pasi e ka përfunduar konferencën me kryetarin e Komunës së Drenasit, kur një gazetar i ka thënë që ta mbajë telefonin hapur. Osmani i është kundërpërgjigjur, duke thënë se telefonin e mban hapur gjithmonë duke shtuar se “propozimet e interesit kapital për vendin s’bëhen ashtu”.
Për raportin me Vjosa Osmanin, ka folur sot edhe e para e diplomacisë. Ministrja Donika-Gërvalla Schëarz e ka pranuar që kanë ndonjëherë mospajtime me presidenten e vendit.
“Ne raportet me presidenten e Republikës gjithnjë i kemi pasur të mira dhe nuk kam asnjë arsyeje të mendoj që ka një ndryshim në raportet tona. Unë jam e mendimit që nuk kemi nevojë gjithmonë të gjithë të pajtohemi 100 për qind për të gjitha temat. Natyrisht se si persona që bartim përgjegjësitë tona në fusha të ndryshme, për procese të ndryshme, nganjëherë kemi edhe mendime të ndryshme, kjo në raport me presidenten, por edhe me institucionet tjera. Mirëpo mendoj që institucionet të përgjegjshme dhe aty ku kemi dallime nganjëherë në qasjen tonë ndaj disa temave, ne gjithmonë e gjejmë një rrugëdalje dhe gjuhë të përbashkët, dhe asnjë arsyeje nuk kam të besoj se në këtë rast do duhej të ishte ndryshme”, tha Gërvalla.