“Historinë nuk mund ta rishkruajnë”, kështu ka deklaruar Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku duke folur për mos përmendjen e ish krerëve të shtetit dhe ish krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë, nga liderët shtetëror në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Ajo thotë se kjo i bën më të vegjël vetëm udhëheqësit aktual të shtetit dhe jo ata që luftuan për vendin dhe sollën lirinë.
“Historinë nuk mund ta rishkruajë askush e as nuk mund ta retushojë askënd. Jetojmë në një epokë tjetër. Liria dhe pavarësia e Kosovës është pashmangshëm e lidhur me sakrificën dhe kontributin e grave dhe burrave të cilët patën guxim ta ëndërrojnë lirinë në një situatë jashtëzakonisht të rëndë”.
“Sot sigurisht për të rinjtë dhe të rejat që i mbushin 25 vjet dhe nuk e kanë jetuar okupimin mund të duket si një skenar filmi, mirëpo sot ata jetojnë në Kosovën e lirë, lindin në Kosovë të lirë falë grave dhe burrave që kanë guxuar ta ëndërrojnë të pamundurën, lirinë dhe pavarësinë dhe kanë guxuar që me një pushkë në dorë e me një zemër të madhe, t’i dalin përballë Serbisë si një nga fuqitë më të mëdha ushtarake të kohës”, ka thënë Çitaku për Gazetën Blic.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, në Hagë nuk e përfaqësojnë vetëm vetveten, nuk janë emra të përveçëm, atje përfaqësojnë një epokë, përfaqësojnë UÇK-në dhe unë besoj, nëse ka drejtësi, shumë shpejt do t’i kemi në mesin tonë. Fakti që emrat e tyre nuk përmenden nga liderë institucionalë e politik në Kosovë nuk i bën ata më të vegjël, i bën më të vegjël vetëm udhëheqësit”, tha Çitaku.