Sonte, më 14 qershor 2024, ora 21:00, Varg e Vi gjallëron amfiteatrin e hapur publik, në kuadër të projektit më të ri “Funksionalizimi i amfiteatrit” në Parkun e Dardanisë I në Gjilan, të mbështetur financiarisht pas thirrjes publike nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e Komunës së Gjilanit.
Amfiteatri prej betoni është pjesë e Parkut të lagjes Dardania I. Për kohë të gjatë, nuk është mirëmbajtur siç duhet, nuk ka pasur aktivitete që i japin jetë, i mbuluar nga papastërti e ndërhyrje të vrazhda me mbishkrime, me sjellje vandale ndaj ekranit, pa energji elektrike etj.
Varg e vi përmes këtij projekti, nën drejtimin e përgjegjësit artistik Din Azizit, bashkë me dy vullnetaret Tuba Beqiraj (Dizajn Grafik dhe Arte Vizuele, Fakulteti i Arteve të Bukura – FAB, Prishtinë) e Harisa Rashiti (Shkolla e Mesme e Artit “Adem Kastrati”, Gjilan), tre vullnetarët, Artin Ymeri (Dizajn i integruar, Specializimi në Dizajn Grafik), Ron Salihu dhe Erion Mustafa nga SHMA “Adem Kastrati”, kanë ngjyrosur dhe ideuar artistikisht çdo shkallë spektatori, muret e jashtme e të brendshme, me simbolika të flamurit shtetëror kaltër-verdhë, me ikona tërheqëse për fëmijë në shkallët më të sipërme, montim të shtyllave të ekranit të projektorit mobil, ku do të transmetohen ndeshjet futbollistike të Euro 2024, nga 14 qershor-14 korrik 2024, me hapje zyrtare të transmetimit direkt të ndeshjes Gjermania-Skocia, ora 21:00.
Qytetarët pa dallim, mund të shohin ndeshjet e Kampionatit Evropian, në orarin e mbrëmjes prej orës 21:00, duke i transmetuar ato me projektor. Afër amfiteatrit, do të jetë shtëpiza prej druri, e drejtuar nga vullnetarët e organizatës joqeveritare “Zëri Rinor – Gjilan”, me koordinator Ardit Jahën, ndërsa shitja e ushqimeve e pijeve për shikuesit e ndeshjeve, do të realizohet nga Omi Kitchen, nën drejtimin e Refik Ramadanit.
Amfiteatri i ribërë artistikisht me ngjyra, furnizim me energji elektrike, wi-fi, projektor elektronik, shtëpizë prej druri dhe me ndeshjet e Euro 2024, do të shndërrohet për një muaj në qendër të hapur sociale, kulturore e sportive, duke forcuar lidhjet sociale në komunitet e komunë, duke rikonfirmuar përkatësinë sociale, duke shprehur entuziazmin e fansave të ekipeve kombëtare dhe emocionet e forta për kombëtaren shqiptare gjatë zhvillimit të Euro 2024.
Amfiteatri po ringjallet. Ejani t’i japim jetë, të gjithë, tok. Varg e Vi është këtu, për ju, me koncept të përgjegjësisë sociale e komunitare, duke e kthyer atë që e fiton nga shoqëria, sërish në komunitet.
Hyrja në amfiteatër është e lirë për të gjithë, pa rezervime!
Ejani të brohorasim bashkë!
Të shikojmë bashkë!
Të festojmë bashkë!
T’i japim jetë amfiteatrit, bashkë!