Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot Festën e Kurban Bajramit. Në Kosovë, ceremonia kryesore e faljes u bë në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmed Fatih”.
Udhëheqësit e Bashkësisë Islame bënë thirrje për paqe, mëshirë dhe dashuri.
Kjo festë e ka domethënien e “drejtësisë, unitetit dhe mirëkuptimit”, tha në mesazhin e urimit myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.
Festa karakterizohet me pelegrinazhin e Haxhillëkut dhe flijimin e kurbanit apo therjen e dashit.
Haxhillëku është një ndër pesë shtyllat e Islamit.
Sipas mundësive fizike dhe financiare, myslimanëve u kërkohet që ta kryejnë këtë ritual së paku një herë në jetë.
Rituali pesëditor mbahet në Arabinë Saudite, ku ndodhen vendet më të shenjta të Islamit.