Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se nuk ka ikje të fuqisë punëtore nga Kosova. Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, madje tha se ka rritje të punësimit, duke përmendur shifrën prej 65 mijë persona më shumë të punësuar.
Bislimi tha se shifrat për migrim do të dalin, dhe siç tha ai paniku i krijuar për këtë çështje do të dështojë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas tij nga Kosova nuk kanë ikur as rinia, as të moshuarit. Ai tha se “gjyshet kanë shkuar për të këqyrë nipat” dhe “po kënaqen”.“Unë po them punësimi është rritur, nuk po flas për fuqinë punëtore.
Nëse punësimi ka qenë 355 mijë, ndërsa sot është 420 mijë, jemi duke folë për 65 mijë shtesë. Çfarëdo shifre me pru, ky 65 nuk zhduket. Mundeni me thënë më 20 mijë më pak fuqi punëtore, 20 mijë më shumë kanë ikë, janë 65 mijë vetë më shumë që sot kanë kontratë pune, punojnë, marrin pagë në fund të muajit e shpenzojnë atë pagë. Kjo nuk mundet me ndryshu”. Ma gjeni një periudhë tjetër gjatë së cilës janë punësu në këtë shifër.
“Shifrat për migrimin do të dalin, krejt ajo panika që është përhapë ka dështu. Nuk kanë dalë as rinia as të vjetër. Kanë dalë gjyshet, kanë shku me i këqyrë nipat, u kënaqëm. Nuk kanë qenë pjesë e fuqisë punëtore, as nuk e kanë dëmtu tregun e punës, as nuk kanë me e dëmtu e kanë rritë mirëqënien edhe të gjyshërve, dhe familjeve që i kanë prit atje, dhe që s’ka mujtë me ndodhë përpara, duhet me iu gëzu kësaj. Mendoj që është mirë”, u shpreh Bislimi.