Shkruan: Avni Rudaku
Në Parkun e lagjes Dardania I në Gjilan, nuk ka mirëmbajtje sistematike e intervenime më të shpejta. Edhe kur ka mirëmbajtje, bëhet me vonesë. Fusha e futbollit e ka një rrjetë të shqyer për kohë të gjatë. Fëmijët e të rinjtë luajnë futboll me shumë entuziazëm dhe kjo është për çdo lakmi, për shkëputje të shëndetshme nga skrolli me imazhe e video, shpesh me përmbajtje koti e pa u përputhur me moshën e tyre. Për shkak të rrjetës së shqyer, topi nga goditjet në fushë, vazhdimisht del jashtë rrjetës, duke rritur gjasat për lëndime të kalimtarëve, veçmas të fëmijëve të vegjël në karroce mobile e për të moshuarit. Rreziku permanent mbetet për dalje të topit në rrugë të mjeteve motorike. Fëmijët vrapojnë me shpejtësi e nxitim. Shoferët frenojnë, por gjasat për t’u rrezikuar fëmijët duke vrapuar pas topit në këtë rrugë veturash, janë të mëdha. Nga një rrjetë e shqyer, gjithçka e kurdoherë mund të ketë tragjedi. Mjafton të ndodhë diçka dramatike vetëm një herë. Sa nuk është bërë vonë, qeverisja lokale duhet të jetë më e shpejtë në ndërhyrje të sanimit të rrjetës. Veprimi i vonuar apo mosveprimi, është përgjegjësi komunale.
Në reagimin tim publik, adresoj çështje të vogla, që kanë rëndësi të madhe. Njoh shumë figura publike, në vend se të merren me probleme lokale të komunitetit, merren shpesh me problemet e Koresë së Veriut. Për mua, aktivizmi qytetar është kur merreni së pari me ato çështje të mjedisit të afërm lokal e që mund të ndikoni në to. Gropat, rrugët e urat e dëmtuara, trotuari i zënë nga perimeshitësit, veturat e parkuara tek trotuari i shkollës fillore “Selami Hallaçi”, varrezat e pamirëmbajtura…
Çështjet e vogla, janë shpesh çështje të mëdha. Më shumë kam vullnet për të reaguar për ta sanuar një rrjetë të shqyer, sesa për Korenë e Veriut, që me gjasa nuk mund të ndryshoj asgjë, bash asgjë.
Apeloj: sanojeni urgjentisht rrjetën e shqyer. U bë vonë, shumë vonë nga mosveprimi komunal!