Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Byronë për Verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.
Në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu tha se vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por që beteja për reforma do të vazhdojë dhe se byroja do të bëhet.
Haxhiu ka shtuar se PDK e dërgoi në Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën në drejtësi. Ajo tha se arsyet për këtë i kanë të qarta të gjithë.
E para e Ministrisë së Drejtësisë tha se Kushtetueses iu deshën 16 muaj për të vlerësuar përputhshmërinë e këtij projektligji. Ajo shtoi se 5 nga 9 gjyqtarët vendosën që “Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm.”
Ajo ka thënë se kanë inkorporuar secilin rekomandim të Komisionit të Venediktit.
“Në mënyrë që gjithçka të jetë përbrenda parimeve dhe standardeve më të larta të BE-së, kemi inkorporuar secilin rekomandim të institucionit më të lartë të Këshillit të Evropës siç është Komisoni i Venedikut.”