Kuqezinjtë në Tetovë përballë Dritës së Gjilanit zhvilluan ndeshjen e katërt kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore.
SHKËNDIJA-DRITA 4:0 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Ademi 32’, R. Ramadani 39’, Shala 57’ dhe Jakupi 59’ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Amzai, Trumçi, Meliqi, Adili, Merxhani, Qaka, R. Ramadani, Webster, F. Ramadani (c), Shala, Ademi.
Luajtën edhe: Nga min. 46’ Cake, Jakupi, nga min. 60’ Taleski, nga min. 65’ Rexhepi, Alhassan, Kurti, nga min. 75’ Nuhija, nga min. 82’ Islami, nga min. 87’ Kocev.
Trajner: Jeton Beqiri
Shkëndija dhe Drita luajtën mes veti një takim shumë korrekt në kuadër të fazës përgatitore, në të cilën dy trajnerët Beqiri dhe Ramadani provuan pjesën më të madhe të futbollistëve që kanë në dispozicion. Kuqezinjtë që luajtën ndeshjen e katërt kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore fituan 4:0 përballë Dritës që zhvilloi takimin e parë kontrollues nga starti i përgatitjeve. Shkëndija nuk pati në dispozicion sot Totren, Krstevskin (lëndime) dhe Krasniqin (arsye familjare).
Shkëndija dominoi ndeshjen në fushë dhe kanosjet e Meliqit dhe Merxhanit të pritura nga portieri mysafir Behluli ishin paralajmërim i epërsisë që do të vinte në minutën e 32-të kur Ademi shfrytëzoi asistin e F. Ramadanit duke shënuar për 1:0. Florent Ramadani ishte asistent edhe i golit të dytë kur harkoi saktë nga këndi për vëllaun e tij Reshatin, me këtë të fundit që me kokë shënoi për 2:0.
Pjesa e dytë solli ndryshime në dyja taboret, mirëpo në fushë ligjin vazhdonin ta bënin kuqezinjtë. Një kundërsulm i tanëve (57’) pa Ademin të asistonte drejt Shalës, me këtë të fundit që realizon për 3:0. Rezultatin final (4:0) e vendosi Lorik Jakupi që kurorëzoi me gol (59’) asistin e dytë të Ademit.