Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka publikuar rezultatet e provimit shtetëror të maturës, ku ka njoftuar se atë e kanë kaluar mbi 13 mijë nxënës, ndërsa në këtë afat janë përjashtuar 79 nxënës.
Lajmi është bërë i ditur nga kjo ministri, përmes një komunikate për media të lëshuar në rrjetin social ‘Facebook’.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar 18285 mijë nxënës të klasave të dymbëdhjeta në gjithë vendin. Këtë vit, Provimin e Maturës e kanë kaluar 13.342 nxënës apo 73.3% e maturantëve”.
Nga ministria theksuan se këtij testi i janë nënshtruar mbi 18 mijë nxënës të klasave të dymbëdhjeta në gjithë vendin.
“Arritshmëria mesatare në Gjuhë amtare është 58.8%, në Gjuhë angleze 54.4% në Matematikë 41.1% dhe në Lëndën Zgjedhore 47.3 %”, thuhet në njoftim.
Sipas MASHT-it, rezultatet e këtij provimi tashmë janë shpërndarë në shkolla.
Më tej, ata treguan se në këtë proces kanë qenë të angazhuar 180 kryetarë të komisioneve të caktuar nga kjo ministri, 1 mijë e 500 administrues dhe 1 mijë e 500 mbikëqyrës nga Parlamenti i studentëve të UP-së.
Tutje, ata njoftuan se “gjatë procesit të administrimit ka pasur tentime për kopjim nga disa nxënës dhe si pasojë e posedimit dhe përdorimit të telefonit janë përjashtuar 79 nxënës”.
Nga Ministria e Arsimit, kanë potencuar se afati i ankesave është deri më 5 korrik, kurse rezultati i ankesave publikohet më 8 korrik.
Ndërkaq, afati tjetër për kandidatët që s’kanë arritur kriterin e nevojshëm është thënë se do të mbahet më 31 gusht.
Provimi i mbajtur më 22 qershor është organizuar në 151 qendra të testimit.