Njeriu që ia publikoi aktakuzën Hashim Thaçit në aeroplan derisa po udhëtonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është në rrugë drejt dështimit masiv në hetimin ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.
Në fakt, dështimi i parë tashmë ka ndodhur. Emërimi i Jack Smithit, ish-kryeprokurorit të Speciales, si hetues i rastit të Trump, u vlerësua anti-kushtetues.
Kjo me vendim të Gjykatës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prokurori amerikan Jack Smith, që kishte hetuar dhe ngritur aktakuzë me pretendime për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e ka gjetur veten të sfiduar seriozisht në rastin kundër Donald Trump, emërimi i të cilit si konsull special në rastin për dokumentet në rezidencën në Mar-a-Lago, u shpall anti-kushtetues nga një gjyqtare federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është konstatimi i fundit nga gjyqtarja Aileen M.Cannon, e cila rrëzoi në tërësi çështjen kundër Trump-it rreth “dokumenteve të klasifikuara”.
Në vendimin e gjykatëses është konstatuar se emërimi i Jack Smith në pozitën e konsullit special nuk është bërë nga Presidenti e as konfirmuar nga Senati; dhe se, kësisoji, caktimi i tij në atë mënyrë “është shkelje kushtetuese”, raportoi New York Times.
“Vendimi i gjyqtares Cannon, e cila qe vendosur nga Trump, u përball me vendimet e mëparshme të gjykatës që arrinin në epokën e Watergate që mbështetën ligjshmërinë e mënyrave se si janë emëruar prokurorët e pavarur. Dhe me një hap të vetëm, ajo hoqi një kërcënim të madh ligjor kundër zotit Trump në ditën e parë të Konventës Kombëtare Republikane, ku ai do të bëhet zyrtarisht kandidati i partisë për president”, thuhet në artikullin e NYT.
Ndaj Donald Trump u ngrit aktakuzë vitin e kaluar për mbajtje të dokumenteve të sigurisë kombëtare në Mar-a-Lago dhe pengimin e përpjekjeve të qeverisë për të tërhequr, duke përfshirë edhe kundërshtimin pjesërisht të një thirrjeje të jurisë së madhe që e urdhëronte atë të kthente çdo dokument të klasifikuar në Departamentin e Drejtësisë. Trump ishte deklaruar i pafajshëm.
Jack Smith për ta hetuar këtë rast, kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeprokurorit të Speciales në Hagë.
Si dha dorëheqje Jack Smith?
Më 18 nëntor të vitit 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një komunikatë për media. Aty kishin përcaktuar emrin e personit që do ta mbikëqyrte hetimin lidhur me mbajtjen e dokumenteve të kalsifikuara nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
E emri që do ta hetonte Trumpi, ishte personi që në atë kohë po hetonte udhëheqësit e luftës në Kosovë. Jack Smith, Kryeprokuror i Gjykatës Speciale me seli në Hagë.
Ai e la pozitën e Kryeprokurorit pak kohë para se të fillojë gjykimi të cilin Smith e cilësonte si rastin më të rëndësishëm. Ai i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
“Prokurori i posaçëm, Smith ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë, i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë” – thuhej në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Tashmë Jack Smith, raportohet ta ketë nisur edhe zyrtarisht punën e tij për të mbikëqyrur hetimet në rastin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Pak ditë pas largimit të Smith nga pozita e Kryeprokurorit, në vendin e tij u emërua si ushtrues detyres Alex Whiting. Tash atë pozitë e mban prokurorja Kimberli West.
Smith më parë ishte zëvendëskryetar dhe shef i seksionit të padive në Korporatën Spitalore të SHBA-së, organizata më e madhe joqeveritare e shërbimit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara, post të cilin e mbante që prej shtatorit 2017.
Nga shkurti i vitit 2015 deri në gusht 2017 z. Smith ishte ndihmës prokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në shtetin Tenësi (Tennessee).
Që nga emërimi i tij si prokuror hetues në rastin Trump, karriera e tij është përcjellur me afera të ndryshme, duke përfshirë edhe akuzat nga senatorë e zyrtarë të lartë amerikanë, se kishte korruptuar dëshmitarë në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë.