Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes për sigurinë e ushqimit për shkak të temperturave të larta.
IKSHPK tha se në temperatura e larta, është shumë e rëndësishme që të kujdesemi për sigurinë e ushqimit që e konsumojmë.
“Përmes ruajtjes dhe përgatitjes adekuate të ushqimit, mund të parandalojmë rritjen e baktereve; ruajmë freskinë e ushqimit; shmangim helmimet përmes ushqimit; i ruajmë vlerat ushqyese të tij dhe mundësojmë të zgjatet afati i përdorimit të ushqimit”, thuhet në njoftim.
Më tej, IKSHPK pohon se “kujdesi për sigurinë e ushqimit gjatë verës nuk është vetëm një zakon i mirë, por një nevojë për shëndetin dhe mirëqenien tuaj”.
Për më shumë informacion, ndiqni këshillat: 5 çelësat për ushqim të sigurt, një udhëzues ky i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sigurinë e ushqimit që për qëllim ka parandalimin e sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimet e kontaminuara.