Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona në Vushtrri, nën dyshimin për mashtrim dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike.
Njëri nga të arrestuarit është Nazmi Mulaku, i njohur në “Tik-Tok”, si Nazmi Bio Mulaku, që pretendonte se është mjek popullor, dhe se shëron disa sëmundje.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se janë arrestuar në Vushtrri dy persona me iniciale N.M,. dhe P.I., me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike“ nga neni 256 i KPRK dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i Kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se të arrestuarit gjenden në ndalim 48 – orë dhe se do të kërkojë nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit.