Përplasjet mes komunave dhe Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, s’po marrin fund. Pas asaj që patën muaj më parë për çështjen e tatimit në pronë, komunat kanë alarmuar sot se u janë bllokuar mjetet nga të hyrat vetanake gjatë vitit të kaluar. Paratë komunave u ishin bllokuar edhe vitin e kaluar. Madje, ishte ndryshuar edhe Ligji që të mund t’u ktheheshin, shkruan Reporteri.net.
Ministria e Financave ua ka bllokuar komunave mjetet nga të hyrat vetjake gjatë vitit të kaluar. Për këtë ka alarmuar sot Asociacioni i Komunave të Kosovës. Nga AKK kanë thënë se është absurde që mjetet e komunave të bllokohen nga niveli qendror.
“Kemi të bëjmë më mosbartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, e që këto të hyra kapin shifrën e milionave euro. Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në Kuvendet e Komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye”, kanë deklaruar nga AKK.
Komunat i kanë kujtuar Muratit se e ka obligim Ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave.
Me bllokimin e tyre, thonë se po rrezikohen projektet.
“Duke marrë parasysh që këto mjete nga rritja e të hyrave vetanake të komunave për vitin 2023 janë të destinuara për projekte kapitale, me këtë veprim niveli qendror i fut në rreziqe komunat që të mos mund të procedojnë në publikimin e projekteve për të cilat janë destinuar. Pra, komunat edhe pse i kanë të destinuara këto mjete për investime kapitale, pra për përmirësimin e jetës së qytetarëve, kjo nuk mund të ndodhë për shkak pengesave të shkaktuara nga niveli qendror”, thuhet në reagim.
Murati ende nuk ka bërë ndonjë reagim për këtë çështje.