Sipas Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, grupi i Milan Radoiçiq është duke kryer stërvitje në tri lokacione afër Kosovës. Njohësit e shohin të mundshëm një konflikt mes Kosovës e Serbisë, derisa Policia është shprehur e gatshme të reagojë në çdo situatë.
Situata në tërë territorin vazhdon të jetë e qetë
Por bazuar në të dhënat inteligjente, grupi i Milan Radoiçiq është duke u stërvitur në tri lokacione afër kufirit me Kosovën.
Kjo është bërë e ditur pas raportimit që shefi i AKI-së ka bërë në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së.
“Situata në katër komunat në veri është e qëndrueshme edhe pse përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme, kërcënimi nga Serbia dhe organizatat paramilitare dhe terroriste, anëtarët e së cilave po trajnohen dhe strehohen në Serbi, vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente, së fundmi grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi-Pazarit, Kopaunikut dhe Kralevës”, bëri të ditur Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit.
Andaj edhe theksohet se ky grup në vazhdimësi planifikon e diskuton mundësitë për sulme, në bashkëpunim me strukturat e sigurisë në Serbi.
“Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit Milan Radoiçiq vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë, me zyrtarët e lartë shtetëror, si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe, organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale”, është shprehur Musliu.
E një konflikt të mundshëm mes Kosovës e Serbisë e sheh politologu, Nexhmedin Spahiu.
Kjo sipas tij, mund të vijë shkak i moszbatimit të marrëveshjes bazë të planit franko-gjerman.
“ Duke pas parasysh se është duke u vonuar implementimi i marrëveshjes mbi bazën e planit franko-gjerman, jo tregon që rreziku për një luftë është shumë i madh, sa më shumë që shkon koha dhe nuk zbatohet plani frank-gjerman, aq më tepër shtohet rreziku i një lufte. Por unë nuk besoj se këto forcat e Radojiçiqit hynë në Kosovë pa u shkaktuar ndonjë incident brenda në Kosovë” , thotë Spahiu.
Se ky grup përbën kërcënim për vendin, e thonë edhe nga Policia e Kosovës.
Mirëpo të njëjtit potecojnë se janë në gjendje gatishmërie për reagim.
“Kemi informacione të tilla, çdo informacion që e ka AKI-ja e dimë. Ajo çfarë e kemi për të thënë momenti që grupi i cili ka kryer sulmin në Banjskë është i lirë, për neve është normalisht sfidë, sidoqoftë situata në veri të vendit është e qetë, delikate për neve është me rëndësi se policia është në veri në secilin cep ka mundësi të reagoi në secilin vend. Çdo informacion që e kemi mund ta trajtojmë” , thotë zëvendësdrejtori i PK-së për rajonin e veriut Veton Elshani.
Tëvë1 ka raportuar ekskluzivisht për këto trajnime të cilat janë duke u kryer në afërsi të kufirit me Kosovën, duke siguruar edhe pamjet e grupeve ekstreme serbe.