Mustafë Hajrizi, babai i Artan e Faton Hajrizit ka folur ekskluzivisht për Nacionalen ku ka thënë se ky i pari nuk ndodhet në Kosovë por është në Gjermani
Ai ka thënë se Faton Hajrazi ka marrë pasaportën e vëllait të tij, Artanit, e cila nga autoritet serbe po pretendohet se është gjetur në Loznicë të Serbisë, ku u vra një polic serb.
“Fatoni i ka bërë ato punë, pasaportën e tij (Artanit) ia ka marrë, u shku në Gjermani atje ia ka marrë. Unë jam babai i tij.” – ka thënë ai fillimisht.
Pyetur se si është marrë kjo pasaportë, Mustafë Hajrizi deklaron se nuk kanë informacione rreth kësaj.
“Jo, jo. Qysh u shku nuk kemi informata, ia ka vjedh, se di hiç cka ka bërë, pasaportën e tij e ka pasë.”
Tutje, ai është shprehur se i biri, Artani, është në Gjermani duke punuar.
“Artani në Gjermani, t’u punu është që tetë vjet. Po po (kemi folë me të).” – tha ai.
Nacionale e ka pyetur edhe nëse ka qenë në dijeni se me kë ishte në veturë Faton Hajrizi, ku ai u përgjigj:
“Jo jo nuk di kurgjo, ai u kanë t’u punu atje, nuk kanë pushim as kerkun”.
Çka ndodhi?
Një polic serb raportohet se ka mbetur i vrarë mbrëmë në Loznicë të Serbisë dhe një tjetër i plagosur rëndë, derisa autoritetet serbe pretendojnë që autori është shqiptar.
Ministri i Punëve të Brendshme atje, Ivica Daçiq ka thënë:
“Sonte, rreth orës 12:55 në Loznicë, gjatë kontrollit të automjeteve në pikën e kontrollit në Lipniqki, policët e stacionit policor kufitar Trbushnica ndaluan një Mercedes me targa Tutina në të cilin ndodheshin dy persona.” – ka thënë Daçiq.
Ndërkohë, sipas raportimeve në vendin e ngjarjes u gjet një pasaportë e një kosovarit, me emrin Artan Hajziri. Mediat serbe e kanë publikuar fotografinë e tij.
“B92”në anën tjetër, pretendon se 33 vjeçari Artan Hajrizi, ka ikur nga burgu duke cituar informacione “jozyrtare”.
Çka tha Kurti?
Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se nuk ka shumë informacione për vrasjen e një polici në Serbi, që mediat atje po raportojnë se i dyshuari është nga Kosova.
Në një konferencë për media, ai ka bërë me dije se informacionet që kanë mediat i ka edhe ai.
“Po ato informacione që i përmendet ju i kam marrë edhe unë sot në mëngjes. Nuk kam diçka shtesë, por organet tona të sigurisë e të rendit po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që t`i përcjellin me vëmendje në orët në vazhdim komunikatat e Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.” – ka thënë Kurti.