Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen hapëse të Seminarit të 17-të të Mësimdhënësve të Mërgatës. Në fjalën e tij, kryeministri theksoi rëndësinë e punës dhe përkushtimit të mësimdhënësve në mësimin e gjuhës amtare dhe të njohurive mbi kulturën tonë te fëmijët e diasporës.
“Ne flasim shpeshherë për diasporën, jemi falënderues për ndihmesën që ka dhënë për atdheun, sidomos në kohën për çlirimin e Kosovës. Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë organizojnë shpesh takime me pjesëtarë të shquar të diasporës dhe të dy shtetet kanë institucione që merren posaçërisht për të mbajtur gjallë interesimin e diasporës për vendin e origjinës. Mirëpo, në të vërtetë puna jonë në atdhe për të fuqizuar lidhjet me diasporën nuk do të jepte shumë fryte, po të mos ishit ju, që jetoni e punoni në gjirin e komuniteteve shqiptare të shpërndara në Evropë, Amerikë të Veriut dhe në pjesë të tjera të botës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Më tej, ai vlerësoi rolin e arsimtarëve si misionarë të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në botë.
“Roli juaj sot nuk është më i pakët nga ai i rilindasve tanë para më shumë sesa një shekulli. Nëse rilindësit zhvilluan shkrimin shqip dhe hodhën farat dhe ndihmuan që të çelnin sythat e parë të kulturës sonë kombëtare në diasporën e atëhershme, dhe më pas e sollën atë që të lulëzonte në atdhe, ju me anë të veprimtarive, sikurse kjo e sotmja, përgatiteni më mirë për të përcjellë filiza të shqiptarisë në dhe të huaj që edhe aty të gjallojë kultura shqiptare, krahas kulturave vendase. Ky është një proces dialektik, diasporë-atdhe-diasporë, që do të jetë shumë i rëndësishëm edhe gjatë shekullit tonë të globalizimeve, integrimeve politike dhe afirmimit të kulturave kombëtare.” tha kryeministri.
Duke përmendur disa prej të arriturave të kontributit dhe bashkëpunimit të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në këtë drejtim, kryeministri Kurti shprehu rëndësinë e ruajtjes dhe fuqizimit të identitetit shqiptar në diasporë, si një detyrë kombëtare.
“Në detyrën time si Kryeministër i Republikës së Kosovës, si drejtues i qeverisë, angazhohem që mbështetja e institucioneve tona të mos mungojë asnjëherë dhe të vijë duke u rritur. Ju uroj një seminar të suksesshëm në Prishtinë dhe arritje më të mëdha, gjithnjë e më të mëdha në detyrën tuaj fisnike!” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.