Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka quajtur akt terrorist hedhjen e një mjeti shpërthyes në Liqenin e Ujmanit.
Maqedonci, në “Five” të TV Dukagjinit, tha se kjo është bërë për t’i frikësuar qytetarët e veriut pa dallim etnie.
Po ashtu, sipas tij, ky veprim ka të bëjë edhe me qëllime politike për ta destabilizuar pjesën veriore të Kosovës.
“Dihet që pas sulmit të 24 shtatorit kemi pasur një vendosje nënkontroll të veriut në aspektin e ligjit, kemi situatë më të qetë se para sulmit. Mbesin prapë elemente të caktuara, të ndikuara nga strukturat shtetërore në Serbi që ndikojnë nga persona të caktuara për të kryer akte terroriste”, tha ai.
“Patjetër, hedhja e granatës së dorës, apo cfarëdomjeti eksploziv, është një akt terrorist, me qëllim frikësimin dhe arritjes së një qëllimi politik për destabilizim, ka prapavijë politike. Është realizuar me synimin për ta destabilizuar veriun, dhe t’I mbajë të frikësuar qytetarët pavarësisht etnisë”, vijoi ai.