Policia e Kosovës ka dhënë një tender në vlerë 3 mijë e 600 euro për përzgjedhjen e një teksti për himn. Në garë për tekstin e himnit kanë qenë dy kandidatë.
Përmbajtja e tij nuk dihet ende. Nuk dihet edhe kur do të këndohet e në çfarë rastesh.
Por, ajo që dihet deri më tani është se Policia e Kosovës është bërë me himn.
Tashmë është përzgjedh edhe teksti më i mirë përmes një tenderi që kap vlerën e 3600 eurove.
Në garë për këtë tender kanë qenë dy persona.
“Data e selektimit të projektit (ve): 16.07.2024. Data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës: 23.07.2024. Emri dhe adresa e fituesit (ve) të konkursit të projektimit Emin Emini. Vlera e dhënies së çmimit (ve) 3,600.00 euro. Lënda e kontratës ka të bëjë me tekstin e himnit sipas nevojave të autoritetit kontraktues”, thuhet në njoftimin e shpallur, përcjell Demokracia.com.
Policia ka treguar se teksti i himnit duhet të dorëzohet në zarfe të veçanta të shënuara qartë “Teksti i Himnit” dhe “Dokumentacioni i kandidatit”.
“Ndaras në nga një origjinal dhe një kopje dhe të gjitha të vendosen në një zarf të jashtëm ku të gjitha duhet të shënohen me një numër katër shifror – shifër të kandidatit (nuk lejohen inicialet e OE), dokumentacioni i kandidatit do të hapet pas përzgjedhjes së tekstit të himnit”.
Teksti i himnit të Policisë së Kosovës duhet të jetë krijim origjinal dhe duhet të shpreh karakterin e veçantë e unik të Policisë së Kosovës.
“Teksti i himnit duhet të jetë i shkruar në gjuhën shqipe, duhet të ketë dy strofa katërvargëshe si dhe një strofë katërvargëshe në cilësinë e refrenit. Vargjet duhet të jenë tetërrokëshe, pa cenzurë dhe me rimë të kryqëzuar sipas aliteracionit ab, ab. Përmbajtja e tekstit të himnit duhet të integrojë e të afirmojë veprimtarinë dhe vlerat e institucionit, integritetin, unitaritetin dhe identitetin e Policisë së Kosovës”.
Në fund Policia ka thënë se “Fituesi/fituesja e çmimit të tekstit të himnit, në rast të kërkesës së autorit/autores fitues/e të kompozimit të linjës melodike të himnit, a për çfarëdo nevoje tjetër që mund të paraqitet gjatë procesit, është i/e obliguar për bashkëpunim deri në finalizimin e himnit”. /Demokracia.com/