Në qytetin e Gjilanit, nuk ka vend të mjaftueshëm në varreza për personat që kanë vdekur. Aty ka ndodhur që shumë herë gjatë ceremonive të varrimit të hapin varre dhe të shohin se tashmë aty ka eshtra. Sipas BIK në Gjilan, ky problem do t’i vjen fundi, për shkak se është caktuar një lokacion i ri.
Riad Rashiti, nga Partia Demokratike e Kosovës – dega në Gjilan, ka alarmuar për gjendjen në varrezat atje.
Sipas tij po ndodh që të vdekurit të varrosen mbi eshtrat e tjetrit.
“Edhe për të vdekurit në Gjilan ka eskaluar gjendja dhe problemi në varrezat aktuale të qytetit, aty moti kohë nuk ka vende, në shumë raste të vdekurit po varrosen mbi eshtrat e tjetrit, e lëre më të flasim për mirëmbajtjen e tyre që nuk ka aspak përkujdesje nga institucionet komunale. Reagimet e qytetarëve janë të përditshme dhe jashtëzakonisht të mëdha!”, tha ai.
Ai ka treguar një rast kur ishte në një varrim dhe ka parë gjendjen e vështirë. Aty tha se ka dëgjuar ofshamat e familjarëve për kushtet që që janë detyruar ta lëshojnë kufomën në varr.
“Ishte rrënqethëse edhe për mua personalisht, kur në një rast varrimi të isha prezent, duke parë e dëgjuar ofshamat e familjarëve ndaj gjendjes se ku dhe në çfarë kushte janë detyruar të lëshojnë kufomën në varr. Tmerr vërtet tmerr“, u shpreh Rashiti.
Tutje, ai ka fajësuar komunën për këtë./insajder/