BE-ja s’ka datë për largimin e masave, qeveria akuzon se heqja e tyre po zvarritet pa nevojë
Megjithëse janë bërë mbi 1 muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës, ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje. Në BE thonë se diskutimet në Këshill po vazhdojnë, derisa nuk japin ndonjë afat se kur do të ketë një vendimmarrje. Në anën tjetër, në qeverinë e Kosovës thonë se heqja e masave po tentohet të keqpërdoret e zvarritet pa nevojë nga disa vende anëtarë të BE-së. Sipas tyre, meqë është konstatuar përmbushja e kushteve, nuk ka nevojë as për heqje graduale, e hiç më pak për mbajtjen e tyre, por duhet largimi i plotë dhe i njëhershëm i masave.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress një zëdhënës i BE-së bëri të ditur se diskutimet në Këshill po vazhdojnë sa i përket raportit ku rekomandohet heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, mirëpo nuk tregoi se kur do të ketë një vendim final të tyre.
Mirëpo largim te masave në formë të menjëhershme po kërkon Klisman Kadiu, këshilltar për medie i zëvedëskryeministrit për integrime evropiane, Besnik Bislimi.
Ai shton se paralajmërimet për hapjen e urës se Ibrit nuk ka asnjë ndërlidhje me zvarritjen e heqjes së masave.
Sipas tij, hapja e urës së Ibrit është e paraparë në marrëveshjet e Brukselit dhe se do ishte absurde mbajtja e masave apo vendosja e tyre ndaj Kosovës, për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Hapja e urës nuk ka ndërlidhje me masat. Ajo është e paraparë në marrëveshjet e Brukselit. Në një rast të tillë të aluduar, do ishte absurde mbajtja e masave apo vendosja e tyre ndaj Kosovës, për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel”, deklaron Kadiu.
Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi thotë se masat duhet të hiqen, mirëpo thotë se për vendosjen e tyre fajtore është Qeveria e Kosovës.
Ndërkaq, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se përkundër vonesave Këshilli Evropian shpejtë do të gjejë një konsensus për largimin e masave ndaj Kosovës.
Masat ndaj Kosovë u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre.