Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) në Gjilan, ka reaguar pas dorëheqjes së Albana Demirit nga pozita e drejtoreshës së Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan.
Në një komunikatë për media, LDK-ja ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me gjendjen aktuale të arsimit në komunë, duke e cilësuar situatën si alarmante.
Sipas LDK-së, dorëheqja e Demirit është një tregues i qartë i problemeve të thella dhe të vazhdueshme në sektorin e arsimit në Gjilan.
Komunikata e plotë:
Degradimi në Arsim mbanë emrin e Alban Hysenit
Komisioni për Arsim i LDK-së, për situatën e rëndë në Arsim gjithmonë ka njoftuar publikun dhe për këtë e ka mbajtur përgjegjës gjithmonë Alban Hysenin.
Edhe sot, kur edhe publikisht dha dorëheqje Drejtoresha e Arsimit , ne përgjegjës e mbajmë të parin e ekzekutivit, i cili me injorancën dhe abstenimin për të marrë përgjegjësinë, ka bërë që në DKA të eskalojë situata deri këtu, ku brenda 3 viteve kanë dhënë dorheqje dy drejtoresha të emëruara nga vet ai.
Dorëheqja e Drejtoreshës së Arsimit nuk është lajm për ne, sepse ajo edhe sa ka qenë në detyrë ka qenë vetëm formalisht.
Për ne do të ishte lajm që së bashku me drejtoreshën të shkonte edhe Alban Hyseni, sepse edhe ashtu Gjilani nuk ka Kryetar!
Militantizmi, nepotizmi dhe injoranca e Alban Hysenit ka filluar të vret ndërgjegjen e të gjithë atyre që e votuan.
Konkurset e montuara në Arsim, transferet e paligjshme, kontratat pa konkurs, presioni militantesk, shkaktuan dorheqjen e Drejtoreshës së DKA-së sot, për të na bindur se ky pushtet ka kollapsuar.