RadioStar, 2 gusht 2024, Gjilan –
Për kohë të gjatë, Kuvendi Komunal dhe opozita kërkojnë transparencë para qytetarëve të Gjilanit. Kryetari i Komunës së Gjilanit, me të ardhur në pushtet, ka filluar me qasjen që nuk dëshiron të dëgjojë zëra kritikë ndaj qeverisjes lokale, duke besuar se përmes stilit të tij ri qeverisës, të mund të ndikojë në politikat editorale të medieve lokale. Ka disa muaj, që Kuvendi Komunal është jofunksional. Duke parë Kryetari i Komunës së Gjilanit, se pa transparencë nuk kalon, është munduar të gjejë një formë të njëanshme të arritjes së bashkëpunimit me mediet. I ftoi mediet lokale për nënshkrim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, për transmetim të seancave të Kuvendit Komunal, për lajmet e njoftimet publike. Sot më 2 gusht 2024, disa medie lokale iu përgjigjën ftesës dhe nënshkruan direkt marrëveshje bashkëpunimi, duke u pajtuar me kriteret e përcaktuara nga vullneti i Kryetarit të Komunës, e jo nga një Komision i Pavarur t’i caktonte kriteret e përzgjedhjes. RadioStar-i nuk mori pjesë në këtë takim me Kryetarin e Gjilanit. Pse nuk shkoi në këtë takim RadioStar-i, si mediumi më i besueshëm, më jetëgjatë në komunë dhe më me përvojë të gjatë në transmetimin online dhe direkt të seancave komunale? Po i rendisim disa arsye, si në vijim:
Një, ligjet në fuqi në Kosovë, nuk e parashohin askund se, Komuna apo institucionet qendrore, mund të lidhin kontrata me çdo medium, pa selektuar kriteret për kontratë.
Dy, kontrata për transmetimin e seancave duhet të bëhet nga një Komision i Pavarur, përmes procedurave ligjore të prokurimit.
Tre, në vend të negocimit direkt, të Kryetarit të Komunës, duhet të bëhet me tender publik, përmes caktimit të disa kritereve profesionale për mediumet. Ato medie që plotësojnë këto kritere, si dëshmia e përvojës në këtë fushë, pasja e kuadrove profesionale të mediumit, teknologjia e avancuar etj., do të mund të aplikonin.
Katër, si Qeveria e Kosovës që pa i plotësuar kriteret për tenderët njëburimorë, ka bërë dhjetëra kontrata direkt, me operatorë të ndryshëm, pa pasur asnjë urgjencë siç e parasheh Ligji i Prokurimit, siç është rasti me emergjencat në kohë pandemie. Ngjashëm me Qeverinë në nivel republikan, qeverisja lokale nga Alban Hyseni, në vend të thirrjes publike, ka zgjedhur takimin sy më sy me mediet lokale, duke anashkaluar prokurimin publik. Me këtë qasje, pa asnjë urgjencë, ka ftuar të gjitha mediet, duke i barazuar të gjitha mediet, pa asnjë kriter, si portal që veç sa është hapur, duke e barazuar, p.sh., me RadioStar-in që ka histori të gjatë si medium. RadioStar beson fuqishëm në pluralizmin mediatik, si kusht qenësor për demokraci, por ky nuk është rasti.
Pesë, RadioStar-i beson se nuk mund të tejkalohet ligji në asnjë mënyrë. Ligji parasheh se kontrata duhet të ketë të gjitha detajet si: çmimi, vlera totale në përputhje me tregun; çka, kur dhe me çfarë qëllimi do të bëhen këto njoftime e transmetime; afatet, detyrimet, përgjegjësitë etj.
Gjashtë, RadioStar nuk ndryshon politikat mediale sa herë ndryshojnë pushtetet komunale, pasi bie ndesh me politikat e pavarësisë profesionale e mediale, duke shkelur principet kryesore të demokracisë. RadioStar ka qenë këtu, është dhe do të jetë me politikat e vet editoriale, me identitet e profil të veçantë, duke mos iu nënshtruar politikave të asnjë pushteti komunal, asnjë partie politike, asnjë kryetari. Madje, ky është parimi bazë për të qenë medie të lira e të pavarura.
Shtatë, RadioStar ka gatishmëri, vullnet dhe kapacitete profesionale, përvojë të gjatë, për transparencë para publikut, përfshirë teknologjinë më të avancuar, për të transmetuar seancat e Kuvendit Komunal, siç e ka bërë në të kaluarën. RadioStar beson në konkurrencë të lirë, kërkon respektimin e rregullave e ligjeve të prokurimit, duke dashur të aplikojë vetëm me këto rregulla të lojës, duke besuar në mediumim e suksesshëm që i plotëson këto kritere në tender publik, qoftë edhe nëse RadioStar-i do të mund të mos kalonte e të sfidohej nga ndonjë operator tjetër medial, ndonëse sa e njohim Gjilanin, asnjë nuk ka as shikueshmërinë, trafik të gjerë audiencash, aparaturë e përvojë, sa ka RadioStar-i.
Tetë, RadioStar nuk bën pazare me asnjë pushtet komunal, për asnjë çmim. Mediumin e kemi trashëguar nga familja, nga gazetari i ndjerë, Xhavit Salihu, i cili ka punuar për shumë vjet për të mbijetuar si radiostacion, duke e pasur pasion këtë punë, pa e llogaritur asnjëherë asnjë profit. Këtë medium e kanë vazhduar bijtë e tij me ekipin, duke avancuar me teknologji, integrim me internetin dhe me nevojat e kohës së sotme, duke e zhvilluar edhe më tej mediumin, duke e bërë numër një në Anamoravë. RadioStar është këtu, për të qenë gjithmonë, medium i lirë, i pavarur, duke i respektuar ligjet në fuqi dhe Kodin Etik.
Prandaj, në fund, po e ritheksojmë, ne nuk i përgjigjemi ftesave të tilla, që nuk përkojnë as me demokracinë, as me ligjet në fuqi të prokurimit. Ne duam të aplikojmë në kushte të barabarta dhe të fitojë më i miri, që i plotëson kriteret e përzgjedhura në kontratë, përmes prokurimit./Radio Star/