Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë bashkëpunuar në një operacion për të kapur të dyshuar për vënien në qarkullim të parave të falsifikuara.
Në komunikatën e përbashkët thuhet se Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia gjatë viteve 2023-2024 kanë ndërmarrë disa veprime në parandalimin e futjes së parave të falsifikuara dhe se këto lëndë më pas janë bërë pjesë e një hetimi ndërkombëtarë, pas të cilave ishte krijuar Ekip i Përbashkët Hetimor (EPH) i përbërë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës nga njëra anë dhe Prokuroria Themelore në Shkup dhe Policia e Maqedonisë së Veriut nga ana tjetër.
Lidhur me këtë rast, dje në Kosovë është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione.
“Gjatë kontrollit u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara me prerje metalike 2 (dy) Euro, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë të gjithë lëndën e parë të prodhimit të tyre”, thuhet në komunikatë.
Me aktvendim të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, shtetasi maqedonas është ndaluar përkohësisht për 48 orë dhe ndaj tij në afat ligjor do të parashtrohet kërkesë në gjykatë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së tij në procedurë.
“Ky operacion është mbështetur nga Europol dhe Eurojust/WB Crim Just Project. Autoritetet e Republikës së Kosovës dhe ato të Republikës së Maqedonisë së Veriut mbesin plotësisht të përkushtuara në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar krimet që atakojnë tregun financiar dhe për zhvillet tjera, do të njoftojnë publikun në kohë”, thuhet në komunikatë.