Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj shefit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se personi me iniciale S.S., dyshohet për “Kërcënim të sigurisë” dhe “Parandalim të zyrtarit në kryerjen e veprimeve zyrtare”.
Ai është pezulluar nga puna dhe ndaj tij rëndojnë kallëzimet për cenim të sigurisë dhe pengim i personit zyrtar. Procedurë disiplinore është ngritur edhe ndaj dy policëve të tjerë.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se është larguar nga puna polici që shkaktoi incident në aeroportin e Shkupit.
“I raportuari S.S. më 1 gusht të këtij viti rreth orës 10:30 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ka mbërritur në parkingun para sallonit të VIP-ave me një automjet me drita rrotulluese, ka zbritur nga automjeti dhe e ka penguar punonjësin e policisë si zyrtar në kryerjen e veprimeve të tij zyrtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.
Për cenim të sigurisë i dyshuari rrezikon më së shumti 6 muaj burg ose gjobë në të holla, ndërsa për pengim të personit zyrtarë rrezikon dënim me burg nga 1 deri në 3 vjet.
S.S ishte dërguar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga kryetari i Kuvendit për të tejkaluar keqkuptimin që ka lindur me Presidentin e Kosovës lidhur me procedurat e sigurisë për kontrollin e bagazheve dhe pajisjeve elektronike gjatë fluturimit me fluturime komerciale.
Kryetari i Kuvendit ,Afrim Gashi nuk e ka komentuar largimin nga puna të shefit të sigurimit të tij dhe ngritjen e kallzimit penal.