Nëntë objekte të Postës së Serbisë janë mbyllur sot në veri të vendit. Këtë hap të autoriteteve të Kosovës, Bashkimi Evropian e konsideron të njëanshëm dhe të pakoordinuar, “i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. BE i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut me Serbinë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ndau deklaratën e plotë në “X” duke komentuar se “veprime të tilla nuk mund të ofrojnë zgjidhje për asnjë çështje që i përket Dialogut”.
“Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet e arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut. Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës.
BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut. BE pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.
Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti.
I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se tri objekte janë mbyllur në Mitrovicën Veriore, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.
“Gjatë kësaj kohe në Leshak kemi ndaluar dy persona të cilët i kemi dërgu në stacion të Policisë në Leposaviq dhe atyre u janë shqiptu tiketa për mospërfillje të urdhërit të Policëve dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, tha më tej Elshani.
Mbyllja e objekteve sipas Elashanit nisi si në vijim, “pas një shkrese/informate të pranuar nga ARKEP, se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomik pa licencë dhe të paregjistruar në ARBK, njësi policore kanë shkuar për verifikim të këtij informacioni. Informacioni ka rezultuat te jetë i saktë me çrast policia ka njoftuar prokurorin e shteti”.
“Pas verifikimit të gjendjes faktike në këto objekte kemi ardhë në përfundim se nuk kanë licenca dhe nuk janë të regjistruara prandaj në konsultim me Prokurorin edhe janë mbyllë për hetim të mëtejmë nga Drejtoria kundër Krimeve Ekonomike”, tha Elshani