Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bensik Bislimi, ka bërë një reagim të gjatë në profilin e tij zyrtar lidhur me vendimin e institucioneve të Kosovës për mbylljen e pikave të postës serbe në Veri të vendit. Bislimi thotë se një veprim i tillë është ndërmarrë pasi janë siguruar informacione nga ARKEP se në territorin e Kosovës po veprojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që s’janë të regjistruar në ARBK.
Kreu i ekipit negociator ka thënë se posta serbe ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe se veprimet e djeshme nga Policia janë në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendit.
Tutje ai ka thënë se strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal s’kanë vend në Kosovës dhe se Kosova do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët ndërkombëtarë për këtë.
Zëvendësi i Kurtit thotë se fakti që fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015 “ nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, shkruan Gazeta Express.
Në fund, Bislimi ka pasur kritika edhe për BE-në dhe reagimin e bërë ndaj veprime të Kosovës, duke thënë se Brukseli po ka gatishmëri më të madhe për të reaguar dhe për të dënuar veprimet e Kosovës dhe për t’u kthyer tek çështjet teknike të dialogut sesa të merret me Serbinë dhe mohimin dhe shkeljen që Beogradi po ia bën marrëveshjes së arritur.