Mbi trembëdhjetë orë ka zgjatur një operacion që është kryer për herë të parë në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, në QKUK.
Operacioni është kryer tek një 28 vjeçar nga ekipi i mjekëve nga Turqia, atyre vendorë nga kjo klinikë dhe Klinika e Anesteziologjisë.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton se është kryer intervenimi mikrokirurgjik për rikonstruksionin e nofullës së poshtme, pas largimit të tumorit dhe largimit subtotal të nofullës e cila ishte e dëmtuar.
“Kjo procedurë kirurgjike- Fibula free flap që nënkupton marrjen e një pjese të lëkurës, muskujve dhe kockës nga këmba dhe transferimin e këtyre indeve në nofullën e poshtme, duke bërë anastomosis( ngjitje ) të enëve të gjakut, me enët e gjakut në kokë dhe qafë”.
Intervenimet e tilla nuk janë kryer më parë në QKUK dhe nuk kryhen as edhe ne disa vende të rajonit, thotë SHSKUK.
“Katër nga kirurgët Maksillofacial janë duke ndjekur trajnimin e avancuar për mikrokirurgji dhe free- flap në Achen dhe Bochum të Gjermanisë. Intervenime të tilla pritet të kryhen në të ardhmën e afërt nga mjekët tanë. Gjendja e përgjithshme e pacientit është e mirë dhe është duke u përmirësuar në vazhdimësi. Për kryerjen e këtij rasti është shfrytëzuar mikroskopi dhe salla operative e Klinikës së Kirurgjisë Plastike”, thuhet tutje.