Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe pranë lapidarit të dëshmorëve të familjes Lleshi në fshatin Vraniq të komunës së Gjakovës, në 26-vjetorin e rënies heroike të Kolë dhe Mark Leshit.
Në njoftimin për medie, thuhet se Kurti ishte i shoqëruar nga ministra e zëvendësministra, deputetë të Kuvendit dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Jemi këtu për të bërë homazhe, për të nderuar, për të kujtuar dhe përkujtuar veprën heroike të dëshmorëve të kësaj familje, e cila bëri krejt çfarë mundi e diti dhe dha krejt çfarë pati për çlirimin e vendit tonë dhe për pavarësi e për bashkim”, u shpreh kryeministri, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Ndër të tjera, ai shprehu mirënjohjen e tij të thellë, falënderimin e pamasë për këtë vetëmohim, flijim e sakrificë të familjes Lleshi, që katër dëshmorë i ka nga lufta e fundit, por edhe në luftërat e mëhershme, “gjithmonë ka pasur bijë e bija të cilët me armë në dorë i kanë mbrojtur trojet e tyre stërgjyshore”.