Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Zllakuqan të Lipjanit.
Atje, një person mbi 50-vjeçar është qëlluar me thikë, ku si pasojë ka humbur edhe jetën.
Lajmin qysh në start e konfirmoi Policia e Kosovës.
“Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje që ka ndodhë në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë. Njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për tretman mjekësor. Vdekjen e viktimës mashkull, rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF në Magure. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për për ndriçimin e plotë të rastit,ndërkohë që dy persona të dyshuar janë arrestuar”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Ngjarja ka ndodhur mes dy familjeve fqinje në këtë fshat të Lipjanit.
Përderisa viktima u godit me thikë, ai u dërgua me urgjencë në Qendrën e Mjekësisë Familjare afër fshatit. Megjithatë, aty u konstatua vdekja e tij.
Përderisa, 15-vjeçari tjetër që gjithashtu u godit me thikë, po e vazhdon trajtimin në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla tha se gjendja e tij është stabile.
“Gjendja e tij është stabile. Është trajtuar në Emergjencë ku janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe e kemi transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale për trajtim të mëtejshëm”, tha Syla.
Ndryshe, në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona, si të dyshuar.
Deri te konflikti dyshohet se kanë shtyrë arsyet krejtësisht banale.
Sipas raportimeve jozyrtare, gjithçka ka nisur si pasojë e një përplasje mes fëmijëve të të dy familjeve, rreth një video në Tik-Tok.
Si pasojë, fëmijet janë përleshur fizikisht e më pas kanë ndërhyrë prindërit e tyre.
E gjithë ngjarja më pas eskaloi në goditje me thika, ku humbi jetën një person.
Në lidhje me hetimet për këtë rast nuk janë përgjigjur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Rrjeti social Tik-Tok është kthyer në një prej rrjeteve sociale më të përdorura edhe në Kosovë.
Disa here ka pasur thirrje të ndryshme e kërkesa që Tik-Toku të mbyllet, megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Qeveria e Kosovës e ka ndaluar këtë rrjet social për përdorim nëpër institucionet e Kosovës.
Prokuroria pritet të kërkojë 30 ditë paraburgim për dy të dyshuarit të përfshirë në këtë vrasje. Në raste të tilla, Gjykata Themelore me automatizëm e pranon kërkesën, dhe cakton 30 ditë paraburgim.
Një vendim i tillë mund të pritet nesër, ose më së largu të premten paradite.