Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Beogradi zyrtar është duke e shtuar presionin ndaj shqiptarëve të Luginës pas paralajmërimit për protestën “Për Identitet e Dinjitet” të së hënës së javës së ardhshme.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka thënë se po përballen me presion e me intimidim nga Policia dhe organet ligj-zbatuese në Bujanoc e Vranjë.
Madje, ai ka bërë të ditur se një qytetar është arrestuar për shkak të një komenti lidhur me protestën e paralajmëruar, në profilin e Facebookut të portalit lokal “Bujanovaçke”.
Sipas Kamberit, ai u arrestua si i dyshuar për vepër penale “Nxitje të urrejtjes ndërnacionale”.
Rasti, tha ai, i është dorëzuar prokurorisë në Vranjë.
“Padyshim nuk duhet shprehur mirëkuptim për nxitjen e dhunës apo urrejtjes, sidomos kur kjo ndodh në një komunë multietnike, siç është Bujanoci, ku edhe ashtu raportet janë të ndërlikuara. Por, padyshim, që reagimi i jonë i përbashkët kundër dhunës duhet të jetë universal e jo selektiv, sidomos kur kemi të bëjmë me reagimin e organeve të rendit dhe sigurisë që kanë për obligim për trajtim të njëjtë të të gjithë qytetarëve”, tha mes tjerash deputeti Kamberi.
Tutje, ai foli edhe për komentet e shumta antishqiptare nëpër mediat në Serbi, duke thënë se “albanofobia është bërë përditshmëri”.
“Kur në këtë fushatë të shprehjes së urrejtjes antishqiptare marrin pjesë edhe zyrtarë më të lartë shtetërorë siç ishte A.Vulin (dhe rasti i tij në Gjykatën e Lartë në Beograd, e cila e liroi nga përgjegjësia nga padia e Këshillit kombëtar shqiptar për ‘nxitje të urrejtjes antishqiptare’, vendim ky që e legalizoi termin ofendues ‘shiptari’) arrestimi i një qytetari të zakonshëm, pak ditë para mbajtjes së protestës popullore në Bujanoc, nuk paraqet tjetër veç tentativë për frikësim të atyre që po organizojnë dhe atyre që duan të marrin pjesë në këtë protestë”, ka thënë Kamberi.
Sipas tij, këto ditë disa qytetarë shqiptarë “janë marrë në të ashtuquajturat ‘biseda informative’ për ‘xhihadizëm’”.
“Këto raste lënë të dyshojmë se politika zyrtare në Serbi po tenton edhe me këto masa represive të tërheq vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm nga protesta legale e legjitime e paralajmëruar për realizimin e të drejtave fundamentale”.
Deputeti Kamberi thotë se kjo çfarë po bën shteti serb “është një përpjekje e hapur për të frenuar reagimin popullor dhe për të heshtur zërin e shqiptarëve”.
“Për të shpërqendruar vëmendjen dhe për të demonizuar edhe protestën edhe kërkesat tona legjitime, të cilat, Serbia i ka pranuar formalisht me nënshkrimin e tre marrëveshjeve me përfaqësuesit shqiptarë (2001, 2009 dhe 2013). Pavarësisht këtyre tentativave për frikësim, ne do të jemi të vendosur dhe të palëkundur në përpjekjet tona për të drejta, për barazi e për liri. Kërkesa për vlerat demokratike, të drejtat tona, lirinë e shprehjes dhe dinjiteti ynë nuk mund të heshtën me fushata frikësimi”, përfundoi Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë.