Pas raportimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për rastin e parë me virusin e Nilit, infektologët kanë thënë se nuk ka vend për shqetësim, por kanë këshilluar qytetarët që të kenë kujdes.
Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK, ka thënë se situata është e qetë dhe nuk ka pacientë të tjerë, të shtruar me këtë virus.
“Në aspektin epidemiologjik, kemi një situatë të qetë sa i përket virusit të Nilit Perëndimor. Ne kemi një pacient që ka pasur indikacion të hospitalizohet në Klinikën Infektive. Nuk kemi pacientë të tjerë të shtruar në klinikë me këtë virus”, tha për RTK-në Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK.
Infektologu Shemsedin Dreshaj ka thënë se virusi i Nilit bartet nga pickimi i mushkonjave duke u paraqitur në forma të ndryshme klinike si: gjendje me temperaturë, kokë dhimbje të lehtë, puçrra në trup, pastaj vijnë forma tjera të cilat manifestohen duke prekur sistemin nervorë qendror në të gjitha variantet.
Përveç rekomandimeve për kujdes të shtuar ndaj ekspozimit të mushkonjave, Dreshaj ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë vaksinë të zbuluar për këtë virus, duke shtuar se parandalimi duhet të bëhet përmes dezinfektimit dhe higjienës.