Iu deshën disa muaj dhe një udhëtim për në Gjermani për të kuptuar se një palë atlete Nike që i kushtuan rreth 100 euro në Kosovë, ishin false.
Vesa (identiteti i plotë i njohur për redaksinë) tregon se këpucët i kishte blerë nga një faqe online, duke menduar se janë origjinale.
“Një koleg/shok i punës më pati thënë se i ke false dhe më rekomandoi t’i ndërroj dhe t’i blej tjera në Gjermani”, tregon ajo, duke shtuar se më pas i ka krahasuar atletet e saj me ato në Gjermani.
Ajo thotë se më nuk ka pasur vullnet të merret me faqen që ia shiti atletet veçse ngjarja ia shtoi mosbesimin për produktet që shiten në Kosovë.
Nëpër dyqane të Kosovës, përfshirë ato në qendër të kryeqytetit, shiten pa ndonjë telash produkte me marka të njohura botërore, por me cilësi dhe çmime të dyshimta.
“Tridhjetë e nëntë (39) euro”, përgjigjet shkurt shitësi kur pyetet për çmimin e një palë sandaleve të ekspozuara në një nga dyqanet e lagjes Dardania të Prishtinës.
Në thembrën e sandaleve që mbajnë markën Gucci, brend i njohur luksoz nga Italia, madje shkruhet se ato janë prodhuar në Itali.
“Vijnë nga Turqia”, thotë tutje shitësi kur pyetet për prejardhjen e sandaleve, pa dhënë detaje tjera.
Me pak dallime në dizajn dhe shumë dallim në çmim, këto sandale mund të gjinden në faqen zyrtare të kompanisë Gucci, marka e së cilës është e mbrojtur në shumë vende të botës, përfshirë në Kosovë, çmimi i të cilave është disa qindra euro…
Përveç Guccit, të ekspozuara hapur nëpër shumë dyqane të Prishtinës shihen veshje, çanta, aksesorë e këpucë të markave të njohura botërore, nga Luis Vitton e deri te Nike e Adidas.
Çmimet variojnë nga 5 deri në 40 euro.
Riprodhimi apo shitja e imitimeve të markave të njohura botërore pa autorizim, nuk ishte e rregulluar apo e ndaluar me ligj në Kosovë deri në vitin 2011, kur legjislacioni i vendit nisi të harmonizohej me atë të Bashkimit Evropian.
“Para se të kishim një legjislacion, këto mallra kanë hyrë lirshëm sepse nuk kemi pasur ndonjë mandat ligjor (për ndalimin e tyre)”, thotë Sadije Topojani, udhëheqëse e Departamentit për Mbrojtjen e Pronës Intelektuale në Doganën e Kosovës.
Dogana që tani luan rol kyç në ndalimin e mallrave të falsifikuara apo mbrojtjen e markave tregtare, thotë se mënyrat e futjes së këtyre mallrave po bëhen gjithnjë e më kreative.
Dogana bën kryesisht ndalimin e mallrave gjatë tentimit për import, por ka kompetenca edhe për kontrollimin e shitësve brenda vendit.
“Shkelësit, edhe gjatë hyrjes në kufi, i përziejnë me mallra tjera, duke mos i deklaruar, duke tentuar ta vënë në lajthitje institucionin. Gjithashtu, tentojnë edhe përmes stikerëve të fshehin markat tregtare, e deklarojnë mallin si pa markë tregtare”, thotë Topojani.
Nga dhe si po hyjnë këto mallra?
Statistikat e Doganës së Kosovës e rendisin Turqinë si vendin më të shpeshtë të origjinës së mallrave të falsifikuara që kapen në Kosovë gjatë tentimit për import, por edhe brenda vendit.
Ndërkaq, kufiri me Maqedoninë e Veriut konsiderohet si pika ku më së shpeshti kontrabandohen këto mallra.
Radio Evropa e Lirë ka gjetur dhe analizuar disa raste të kapjes së mallrave të falsifikuara që u gjykuan nga Gjykata Komerciale në Kosovë.
Ishte 24 tetori i vitit 2022, kur një mjet transportues i mallrave i kompanisë “Selo Tours” nga Prishtina, u ndalua në Doganën e Kosovës.
Në kontingjentin e mallrave që po importoheshin nga Turqia, kësaj kompanie iu gjetën edhe 88 palë këpucë dhe rreth 50 kapele me markën Adidas.
Pasi kompania Adidas vërtetoi se produktet ishin false, Gjykata Komerciale në Prishtinë e dënoi këtë kompani me 5 mijë euro dhe urdhëroi shkatërrimin e këtyre mallrave.
Në po të njëjtën ditë, u kapën edhe 245 çanta të markës Michael Kors, po ashtu të falsifikuara.
Edhe për këto produkte, kompania u dënua nga gjykata me 5 mijë euro.
Sami Janova, pronar i kompanisë transportuese i tha Radios Evropa e Lirë se ka qenë viktimë e tregtarëve që kanë bërë porosinë e mallit pa treguar se shkelin markën tregtare.
“Ne jemi transportues, tregtarët i kanë futur aty. Tregtarët na kanë mashtruar, i kanë futur në thasë. I blejnë në Turqi, i përziejnë me mallra të tjera”, thotë Janova.
Janova thotë se futja e mallrave në këtë formë, sidomos nga Turqia, bëhet shpesh nga tregtarët e vegjël në Kosovë.
“Tregtari nuk e tregon realitetin se ka marka ( të falsifikuara). Thotë se është mall tjetër, e ne nuk mund t’i kontrollojmë të gjitha”, thotë Janova.
Ai shtoi se ka kërkuar llogari nga tregtarët dhe ata ia kanë paguar dënimet nga gjykata.
Kompania e tij ishte dënuar po ashtu për shkak të disa qindra kapelave dhe dhjetëra palltove të markës Moncler, që kishte tentuar t’i importonte më 21 tetor të vitit 2022. Kompania italiane kishte vërtetuar në gjykatë se produktet ishin të falsifikuara.
Avokati Florin Lata i cili me firmën e tij ligjore “Vokshi & Lata”, përfaqëson në gjykatë disa kompani të njohura botërore, thotë se produktet e falsifikuara po bëhen gjithnjë e më vështirë për t’u identifikuar.
“Jo çdoherë çmimi mundëson identifikimin e një produkti të falsifikuar pasi që shpesh herë ato shiten me çmime të larta. Kemi vërejtur kohëve të fundit që ka produkte të falsifikuara që shiten me çmime shumë të larta, e që janë produktet e tekstilit”, thotë Lata.
Sipas tij, përveç Doganës, për luftimin e falsifikimit duhet të angazhohet më shumë edhe Inspektorati i Tregut.
“Inspektorati duhet të rrisë kapacitetet njerëzore. Po ashtu, duhet që të vazhdojnë trajnimet e specializuara për të gjithë aktorët, si Gjyqtarët, Prokurorët, zyrtarët e Doganës, Policisë dhe Inspektoratit, sepse teknikat që falsifikatorët dhe kontrabandistët i përdorin janë mjaft të sofistikuara”, thotë Lata.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Inspektoratin e Tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë për koment lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.
Detergjent i falsifikuar?
Por, nuk janë vetëm veshmbathjet e falsifikuara që arrijnë tregun kosovar.
Sipas statistikave doganore, mallra të falsifikuara variojnë nga teknologjia, produktet ushqimore, të higjienës, veshmbathjet, aksesorët e deri tek ato kozmetike.
Shembull, rreth 4 mijë thasë me detergjent të markës Ariel, markë e njohur në tregun e Kosovës, u nisën si import nga Turqia në Kosovë në gusht të vitit 2022.
Importuesit “Cristal Group Ris”, iu ndalua ky mall nën dyshimin se nuk është origjinal.
Çështja përfundoi në gjykatë ku kompania “The Procter & Gamble Company” që bën prodhimin e detergjenteve në fjalë kishte vërtetuar se produkti i kapur nga Dogana e Kosovës ishte i falsifikuar.
Kompania kishte arritur në këtë konkluzion pasi kishte identifikuar dallime në disa aspekte nëpaketimin e jashtëm të produktit si dhe “janë identifikuar gabime drejtshkrimore”.
Sipas përfaqësuesit të kompanisë që foli me Radion Evropa e Lirë, por që nuk deshi t’i përmendej emri, ky vendim është i gabuar dhe produkti që tentoi ta sillte ishte origjinal.
“Ne e kemi marrë për origjinal se për fals nuk jemi të interesuar. Këso Arieli si i joni që e kanë ndalur në Doganë, ka pasur në treg (të Kosovës) dhe vazhdon të ketë”, tha ai.
Ky importues pretendon se analiza e pamjes së jashtme të thasëve të detergjentit nuk mjafton për vërtetimin e origjinalitetit.
“Unë e di që rrobat lahen me higjienë (detergjent) brenda e jo me qese. Duhet bërë analiza brenda”, thotë ai, duke shtuar se do të vazhdojë të luftojë vendimin në çdo instancë të mundshme gjyqësore.
Ndonëse dominojnë rastet që lidhen me veshmbathje, në gjykatë janë trajtuar edhe raste të falsifikimeve të aksesorëve, detergjenteve dhe produkteve ushqimore.
Përveç se nga importi, sipas Doganës së Kosovës, në të kaluarën janë kapur edhe mini-fabrika të prodhimit të produkteve të falsifikuara në Kosovë.
“Nga vetë fakti që ne kemi zbuluar shumë logo të markave të njohura në kontrabandë, të jep të kuptosh se këtu ka prodhim. Nuk është malli i falsifikuar vetëm nga kontrabanda”, thotë Topojani.
Çështja e mbrojtjes së pronës intelektuale ku hyn edhe ndalesa e falsifikimit të produkteve trajtohet nëpër raporte të progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën
Në raportin e vitit 2023, thuhet se Kosova ka bërë një lloj progresi në këtë fushë, por që rekomandohet edhe më shumë punë në zbatimin e ligjit dhe koordinim të institucioneve që merren me këtë fushë.
Dhjetëra lodra që ka identifikuar Radio Evropa e Lirë në tregun e Kosovës, nuk i plotësojnë tri kriteret bazë sipas direktivave të BE-së, që duhet të respektohen për t’i importuar dhe vendosur lodrat në treg.
Si dihet nëse një produkt është i falsifikuar?
Mënyra se si institucionet verifikojnë nëse një produkt është origjinal apo fals sa herë që ka dyshime, është përmes konfirmimit nga kompania prodhuese.
Disa mënyra të tjera se si ekspertët e fushës rekomandojnë që blerësit të verifikojnë origjinalitetin e produkteve është përmes pamjes së jashtme, cilësisë si dhe çmimit kur kemi të bëjmë me produkte të markave më të shtrenjta.
Po ashtu, rekomandohet që blerja e markave të bëhet vetëm nga faqet zyrtare, dyqanet apo përfaqësitë e regjistruara të markave të ndryshme, apo dyqane që ofrojnë dokumentacione të qarta të origjinës së produkteve apo edhe garanci.
“Është e rëndësishme (verifikimi) pasi që ka raste kur produkti fals është shumë i sofistikuar”, thotë Topojani.
“Është e dhimbshme për qytetarin, për shembull, nëse paguan për një produkt mbi dyqind euro ose mbi njëqind euro, i cili rezulton i falsifikuar”, shton ajo.
Dhimbja e blerjes së produktit fals me çmim të lartë e ka prekur edhe Vesën e cila thotë se tashmë “nuk blen ose nuk porosit (brende të njohura) në Kosovë”
“Përveç kur e di sigurt se është një dyqan tamam”, thotë ajo. /REL