Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka ndaluar importimin e kafshëve të gjalla dele, dhi nga Rumania dhe Greqia.
AUV ka thënë se ky vendim u mor si masë për shkak të situatës epidemiologjike me sëmundjen “Mortaja e ruminantëve të vegjël”.
“Duke u bazuar ne situatën epidemiologjike të raportuar nga organizata WOAH (Organizata Botërorë për Shëndetin e Kafshëve ) dhe ADIS ( Sistemi i lajmërimit të sëmundjeve të kafshëve në BE), për shpërthimin e sëmundjes Mortaja e ruminantëve të vegjël ( Dele, Dhi) Agjencia e ushqimit dhe Veterinarisë sot, ka nxjerrë vendim për ndalimin e importit për kafshë të gjalla të llojit Dele, Dhi nga shtetet e prekura me sëmundje, Rumani dhe Greqi. Nga zonat e caktuara të këtyre shteteve si regjione të prekura me ketë sëmundje ndalohet importi edhe i kafshëve të llojit gjedhë. Kjo për të penguar ose moslejuar përhapjen e kësaj sëmundje. Kurse nga zonat e lira kafshët e llojit gjedhë lejohet importi në territorin e Republikës se Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Shtetet ndaj të cilave janë marrë masat sipas AUV janë të prekura nga kjo sëmundje dhe nuk leshojnë certifikata për gjendjen e kafshëve gjatë importit.
Kjo sëmundje nuk përhapet tek njerëzit andaj nuk ka nevojë për shqetësim ka thënë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.