Banorët e rrugës ‘Shyt Mareci’ në Gjilan kanë shprehur zhgënjimin e tyre për mosrregullimin e rrugës, duke e akuzuar qeverisjen lokale të Alban Hysenit për neglizhencë.
Banorët e kësaj rruge për Radio Star, kanë thënë se prej kohësh kanë pritur që rruga e tyre të asfaltohet dhe të rregullohet ndriçimi publik, por deri më tani premtimet nuk janë përmbushur.
Gjendja e rrugës është përshkruar si “e tmerrshme”, duke e bërë jetesën e afërsisht 100 familjeve që banojnë aty jashtëzakonisht të vështirë.
Banorët theksojnë se ndihen të lënë pas dore dhe se nuk kanë marrë asnjë zgjidhje as nga kryetari i komunës, Alban Hyseni, e as nga organet e tjera përgjegjëse.
Ata kërkojnë që të merren masa urgjente për të përmirësuar kushtet e jetesës në këtë zonë dhe të mbahen premtimet e dhëna nga autoritetet lokale.