Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Kështu e pësoi edhe një mërgimtar nga Gjermania, vetura e të cilit u vodh gjatë ditës së djeshme në Gjilan, por që Policia këtë herë e kapi hajnin në afat rekord, raporton Sinjali.
Sinjali mëson se viktima e denoncoi rastin në Polici dhe kërkoi ndihmë për gjetjen e veturës së tij, që u vodh në rrugën “Sadullah Brestovci” në Gjilan.
Si rezultat i raportimit, Policia arriti të sigurojë prova, që çuan në identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
Pasi i dyshuari u kap, vetura e vjedhur u gjet dhe iu kthye mërgimtarit.
Ndaj të dyshuarit që u prangos, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’.