4 vite nga vdekja e mjekut të njohur Dr. Feti Hetemi, Fondacioni ndanë 2 bursa studentore në emër të tij.
Kaltrina Hasani dhe Deidamea Halabaku, studente të Mjekësisë, janë dy përfitueset e bursave nga Fondacioni “Dr. Feti Hetemi”, në vlerë të 500 eurove secila, me rastin e përvjetorit të katërt të ndarjes nga jeta të mjekut, Feti Hetemi.
Ndarja e bursave për dy përfitueset u bë pasi Komisioni përkatës, vlerësoi të gjitha aplikacionet nga thirrja publike për aplikim.
Është hera e tretë që ky fondacion ndanë nga dy bursa studentore për student/e, në programin e Mjekësisë që vijnë nga regjioni i Anamoravës.
Dr. Feti Hetemi, mjeku dhe humanisti nga Vitia, u nda nga jeta më 19 gusht të vitit 2020 nga Covid-19.
Në kujtim të tij, familja Hetemi përmes Fondacionit të tyre, ndanë çdo vit këto bursa me qëllim të mbështetjes së kuadrove të reja që zgjodhën të studiojnë mjekësinë, profesionin që Dr. Feti Hetemi aq shumë e dashti.
“Në përvjetorin e katërt të ndarjes nga jeta të mjekut Feti Hetemi, Fondacioni “Dr. Feti Hetemi” ka ndarë dy bursa studentore për vitin 2024, duke u bazuar në kriteret e publikuara në thirrjen për aplikim nga studentët e mjekësisë së drejtimit mjekësi e përgjithshme.
Kaltrina Hasani dhe Deidamea Halabaku janë përfitueset e bursave të cilat jepen në kujtim të mjekut tashmë të ndjerë. Sot u mbushën 4 vita nga vdekja e mjekut të njohur në Anamoravë, Dr. Feti Hetemi
Shëndetësia kosovare dhe Anamorava me 19 gusht të vitit 2020 humbi nga Covid-19 njërin nga mjekët më të përgatitur në fushën e internos dhe nefrologjisë, Dr. Feti Hetemin nga Anamorava.
Dr. Fetiu, përveç profesionalizmit të tij në fushat e internos dhe nefrologjisë, ai njihej si gardian i të drejtave të shqiptarëve në rajonin tonë. Ai gjatë viteve 90-ta nuk pushoi së kontribuuari për popullatën shqiptare. Dr. Hetemi së bashku me kolegët e tij themeluan Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë” në Viti, të cilën e udhëhoqi për disa vite. Në kuadër të kësaj shoqate, u funksionalizuan ambulantat në Viti, Pozheran, Remnik, Stubëll etj, në shërbim të popullatës shqiptare, për të cilën veprimtari ai u persekutua e u pengua nga regjimi pushtues serb.
Mjeku nga Anamorava, gjatë viteve 80-ta sa ishte delegat në Kuvendin e Kosovës, ishte iniciator dhe ndër themeluesit e repartit të Hemodializës në Spitalin regjional të Gjilanit. Dr. Hetemi ishte i angazhuar zyrtarisht me detyrë edhe në ZOK të UÇK-së, i cili gjatë luftës së vitit 1999 dha kontribut të jashtëzakonshëm në trajtimin e ushtarëve të UÇK-së, të cilët fal angazhimit të tij, sot gëzojnë shëndet të plotë. Dr. Feti Hetemi në rajonin e Anamoravës përveç që njihet si mjek që ka shëruar mijëra pacientë, ai u shqua për virtyte të larta humane dhe kombëtare, duke mbrojtur vazhdimisht kauzën kombëtare. Dr. Hetemi për kontribut të veçantë u dekorua post-mortem nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe nga i pari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti. Dr. Feti Hetemi, do të mbetet në histori si pishtari i humanizmit dhe shëndetësisë vitiase, i cili misionin e tij për shpëtim të jetëve e mbylli me vetëmohim, kur edhe shkoi në amshim më 19 gusht të vitit 2020″, thuhet në njoftim.
Më poshtë mund të ndiqni dokumentarin “Përtej…” të autorit Tefik Salihu, i cili flet për jetën dhe veprimtarinë e tij.