Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka vlerësuar angazhimin e presidentes kosovare, Vjosa Osmani, ndaj vlerave të Bashkimit Evropian (BE).
Rohde këtë e ka bërë teksa ka uruar Osmanin për çmimin M100 Media Award nga Sanssouci Colloquium.
“Angazhimi juaj i vendosur ndaj vlerave tona të përbashkëta, lirisë dhe multilateralizmit e bëjnë Kosovën një zë kritik dhe shumë të nevojshëm në BE dhe më gjerë”, ka shkruar ambasadori gjerman të enjten gjatë ditës.
Presidenca e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se Presidentja Vjosa Osmani është nderuar nga M100 Sanssouci Colloquium me Çmimin M100 Media Award për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj në reforma, forcimin e demokracisë, kursin proevropian, luftën kundër korrupsionit, si dhe për barazinë dhe të drejtat e grave, shkruan Reporteri.net.
Në njoftimin e publikuar nga M100, thuhet se Presidentja Osmani: “është e përkushtuar për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike. Ajo angazhohet për mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë si arritje thelbësore, përkundër të gjitha kërcënimeve dhe pengesave”.
Laureat i këtij çmimi është edhe Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Ceremonia e ndarjes së çmimit mbahet më 12 shtator në Orangery of Sanssouci Park në Potsdam. Fjalën kryesore me këtë rast do ta mbajë Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz. /Reporteri.net/